Ditët e para të kopshtit janë të vështira për prindërit dhe fëmijët, që zakonisht nuk duan të shkëputen. Për disa fëmijë, është edhe më e vështirë sesa të tjerët për t’u përshtatur dhe ata protestojnë ndaj çdo ndryshimi duke qarë. Por edhe kjo është normale, për natyrën e tyre.
Edhe pse shumica e fëmijëve qetësohen dhe kalojnë shumë bukur, pasi mamaja ose babai ikin, prindërve kur e nisin ditën në këtë mënyrë, u thyhet zemra.
Nëse ndarjet vazhdojnë të jenë, edhe pas ditëve të para, po aq zhurmëmëdha me lot e ankesa, atëherë ja disa këshilla që duhet të provoni me fëmijët.
Tregojuni hapat
Kur fëmijët e dinë se çfarë do të ndodhë, janë më të sigurt dhe më të qetë. Tregojuni atyre paraprakisht ku do të shkojnë dhe çfarë do të bëjnë.
Merrni me vete një lodër
Një lodër e preferuar me vete bën që fëmijët të humbin mendjen ose të qetësohen.
Mbani një orar strikt
Mundohuni të vendosni orare fikse kur e çoni dhe kur e merrni fëmijën nga kopshti. Kjo strukturë ndihmon fëmijën të organizohet dhe të krijojë siguri te familjarët.
Ikni pasi ta puthni
“Mos ikni fshehurazi!” thonë ekspertët “sepse kështu fëmija mëson të mos ketë besim tek ju”. Thoni “mirupafshim” pastaj ikni.
Çlironi stresin
Prindërit ndonjëherë ndjehen në faj që po i lenë fëmijët në çerdhe dhe fëmijët mund ta ndjejnë këtë ankth. Prindërit duhet të jenë ata që të tregohen të qetë fillimisht që dhe fëmija të jetë i qetë.
Mos kërcënoni
Kërcënimet rrisin më shumë stresin te fëmija, ndaj hiqini ato fjalitë “nëse qan përsëri sot…”. Mundohuni ta kuptoni dhe ta ndihmoni fëmijën tuaj në këtë përvojë.
Shmangni shpërblimet
“Nëse nuk qan, do të të sjell akullore kur të të marr”. Kjo mund të funksionojë ditën e parë, por më pas fokusi është te akullorja dhe çdo ditë fëmija pret të njëjtën gjë.
Mbylleni mirë procesin
Kur e merrni fëmijën nga kopshti, tregojini vështirësitë e mëngjesit dhe përgëzojeni që ia doli të qëndronte mirë në kopsht.
Konsideroni ndonjë ndryshim
Nëse i keni provuar të gjitha dhe fëmija juaj vazhdon të qajë, atëherë mund të ketë ndonjë problem lidhur me kopshtin. Konsideroni mënyrën e komunikimit të edukatores dhe grupin e fëmijëve. /Gazeta Mejdani/
Discussion about this post