Ka kohë që hyrje-daljet e Gjilanit janë në gjendje tepër të rëndë. As edhe pas 2 vjete gjendja e tyre nuk po përmirësohet, ndërsa vozitësit thuajse kanë humbur krejtësisht durimin, shkruan Gazeta Mejdani.
Askush deri më tani nuk e thotë fjalën përfundimtare se pse po ndodh kjo.
Rruga nga Livoqi deri në Partesh ende është në gjendje të mjerueshme. Vozitësit dhe ata që e frekuentojnë çdo ditë këtë rrugë thonë se është e patolerueshme që kaq gjatë të vonohen punimet e Qeveria të heshtë dhe të mos ndëshkojë kompanitë.
Rruga Livoq – Partesh është ende e paasfaltuar derisa vozitësit ndihen të tmerruar për shkak të kushteve të rënda të vozitjes dhe vet gjendjes së keqe të rrugës.
Musliu vozitës kamioni që e përshkruan çdo ditë këtë aks rrugor thotë se tani janë në hall nga pluhuri.”Më herët kishim problem me shiun dhe vërshimet gjatë rrugës, e tani na mbyti pluhuri dhe gropat” shprehet ai, teksa raporton Rajoni Press.
Edhe, Ekremi që është kalimtar i përhershëm, meqë dërgon mall në Viti thotë se kjo rrugë ia ka dëmtuar disa here veturën.
”Qeveria po punon me hapa të breshkës dhe as që po brengoset për zvarritjen e punimeve. Janë bërë disa muaj që e kemi të njëjtën situatë” shprehet ai.