Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes nga temperaturat e larta.
MSH thotë se, duke u ekspozuar në diell mund të pësojmë goditje nga vapa që shkakton dehidrim të organizmit i cili manifestohet me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale (dëmtim i veshkëve), transmeton Telegrafi.
Masat e rekomanduara mbrojtëse për shëndetin gjatë ekspozimit ndaj temperaturave të larta të ajrit mbi 30°C janë:
Personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike nuk duhet të ekspozohen në rrezet e diellit në intervalin kohor prej orës 10:00-17:00.
Kujdesi gjatë temperaturave të larta:
🥤Mbani trupin tuaj të freskët dhe të hidratuar;
👕Vishni veshje të lehta dhe të gjera;
🛁Bëni dush të freskët;
Reklama
💧Pini shumë ujë;
☕Shmangni pijet me sheqer, alkoolike dhe me kafeinë;
🏡Mbani shtëpinë tuaj të freskët:
🪟 Hapni dritaret natën;
💡Reduktoni përdorimin e pajisjeve elektrike.
🌳Qëndroni në hije.
🧑🔧Shmangni aktivitetin fizik të mundimshëm gjatë temperaturave të larta;
🚗Mos i lëni fëmijët apo kafshët në makina të parkuara;
Ministria shton tuje se, nëse ju paraqiten simptoma si kokëdhembje, mundim, marramendje, tharje e gojës dhe lëkurës, lajmërohuni tek institucioni më i afërt shëndetësor.
Me rritjen e temperaturave ditëve të fundit, është shtuar fluksi i pacientëve që kërkojnë trajtim në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në këtë klinikë brenda një dite trajtohen 130 deri në 140 pacientë, ndërsa brenda muajit mbi 3 mijë.
Kështu bëri të ditur për Telegrafin shefja e Emergjencës Pediatrike, Afërdita Selamanaj.
“Për 24 orë, në klinikën e Emergjencës Pediatrike trajtohen 130-140 pacientë. Për një muaj kryhen diku mbi tre mijë vizita. Temperaturat e larta kanë ndikuar në shtimin e numrit të pacientëve”, ka thënë ajo.
Selmanaj tutje ka bërë të ditur se po dominon gastroenteriti, i cili shkakton diarre dhe të vjella te fëmijët.
“Këto ditë kemi pasur shtim të fluksit të pacientëve, kanë dominuar gastroenteritet, fëmijë me diare dhe të vjella, helmime me ushqim”, është shprehur ajo, duke shtuar se më të ndjeshëm janë fëmijët nën moshën 5-vjeçare, andaj ka thënë se duhet kujdes i shtuar për këtë moshë.
Sipas saj, në pediatri ka staf dhe shtretër të mjaftueshëm për trajtimin e pacientëve.
E në fund, Selmanaj ka rekomanduar që shmangen daljet nga ora 10:00 deri në orën 17:00, të konsumohen sa më shumë lëngje, ujë, çaj e ushqime të freskëta, si dhe veshjet të jenë sa më komode, të lehta, me ngjyra të hapura dhe prej pambuku.
Ndryshe sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, moti me këto temperatura tipike verore është si rezultat i ardhjes së masave të nxehta të ajrit nga Afrika Veriore.
“Shkalla e lartë e avullimeve do të krijojë vapë dhe ndjesia e këtyre temperaturave do të jetë më e lartë se sa vlerat e lartshënuara”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.