Sot u bënë 365 ditë nga fillimi i një prej luftërave më të rrezikshme që nga Lufta e II-të Botërore. Kjo luftë e nisur nga një superfuqi që po kërcënon botën, ka nxitur superfuqinë tjetër që t’i rrijë në ballë të parës. Është luftë titanësh midis dy superfuqive. Luftë që po shkakton frikë në çdo cep të botës. Edhe arsyetimet që jepen për te, jo shpesh janë dhënë përgjatë historisë.
Shkruan: Mustafë Bajrami
Rusia thotë se në Ukrainë po lufton të keqen që po vjen nga Perëndimi. Bota perëndimore thonë se po parandalojnë një armik të rrezikshëm që po kërcënon shoqëritë demokratike. Luftë kjo me mjete ushtarake, konvencionale, informative, gjeo-kulturore, e ç’është më e keqja, luftë të cilës i janë dhënë edhe ngjyrime fetare. Rusia thotë se po mbron orthodoksizmin karshi satanizmit perëndimor(!)
Thash në fillim. Kjo luftë ka prekur secilin shtet në cilin do sep të botës. Vendet e varfëra po i varfëron edhe më shumë, ndërsa të pasurat po i pasuron. Ajo ka destabilizuar tregjet botërore. Ka dëmtuar rëndë sistemin e energjisë, ka nxitur inflacionin e papërmbajtshëm dhe ka shkaktuar probleme të mëdha në furnizimin me ushqime dhe mallra. Edhe më keq; ka rinisë, por kësaj radhe me shpejtësi të madhe garën për armë bërthamore, ka dëmtuar rëndë sistemin organizativ të Kombeve të Bashkuara dhe ka çmontuar ligjin ndërkombëtarë. Bashkëpunimin e deritanishëm midis shteteve e ka kthyer në pikën zero dhe ka çorientuar sistemin e ndihmave humanitare. Asgjë nuk mbeti pa u prekur për së keqi nga lufta në Ukrainë
Kjo luftë ka dezorientuar rregullimin ndërkombëtar tashmë kaotik dhe i paqëndrueshëm. Copëzat e mozaikut të sigurisë së brishtë kontinentale në Evropë dhe Azi kanë filluar të çmontohen edhe më shumë. Edhe gjuha e përdorur nga fuqitë e mëdha po tingëllon si një gjuhë çmendurie. “Do të luftojmë deri në fund, s’ka kush që na mund ne”, është një prej fjalive që paralajmërojnë një luftë globale bërthamore. E në fushëbetejë, shifrat po bëhen alarmante ditë e më shumë. Forcat ruse kanë pushtuar pjesën lindore të Ukrainës ndërsa Kievi vazhdon ta mbajë të shpallur gjendjen e luftës. Për një vit, 19 milionë refugjatë e të ikur përtej kufijve të Ukrainës. 9,604,232 të ikur në Poloni, 1,967,211 në Rumani, 2,852,395 në Rusi, 2,215,943 në Hungari, 1,162,862 në Sllovaki, 770,354 në Moldavi dhe 16,705 në Bjellorusi. Shumica e të zhvendosurve janë gra, pleq dhe fëmijë. E burrat të moshës 18-60 vjeçare po qëndrojnë në Ukrainë për të luftuar.
Ukraina dhe Rusia
Ukraina dhe Rusia po manipulojnë me historinë e tyre sikur të ishin vende të Ballkanit. Ndoshta edhe më zi. Shekullin e kaluar ishin dy nga 15 republikat që përbënin Bashkimin Sovjetik, e pas shembjes së tij në vitin 1991, Ukraina shpalli pavarësinë më 24 gusht të po atij viti. Menjëherë filloi betejën për tu liruar nga kthetrat perandorake ruse duke krijuar lidhje gjithnjë e më të ngushta me Perëndimin. Në 30 vitet e fundit ajo ndërroi shtatë presidentë dhe pati një rrugë të vështirë drejt demokracisë me dy revolucione “të çmendura”. I pari në vitin 2005 e më pas në 2014. Në të dyja herët, ukrainasit kundërshtuan supremacinë ruse dhe kërkuan t’i bashkohen BE-së dhe NATO-s. Gjatë këtij 30 vjeçari, Rusia pati vetëm tre presidentë. I treti Putini i cili në vitin 2021 nënshkroi një ligj që në thelb i mundësoi të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036. Ky ish-agjent i KGB-së sovjetike i mundi të gjithë, e ata që nuk arriti t’i mund, i likuidoi. Ai vazhdimisht thotë se rusët dhe ukrainasit janë “një popull”, i përkasin “qytetërimit rus” njëjtë sikur bellorusët. Pretendime këto që ukrainasit i kundërshtojnë edhe sot e kësaj dite.
Putini mundohet të gjejë arsyetime për pushtimin e Ukrainës. Ai ka përmendur pushtimin e Irakut nga forcat aleate perëndimore, ka përmendur Palestinën si dhe Kosovën. Njëjtë kështu ka përmendur edhe Rrafshanltën e Golanit në Siri.
Ku e ka gjenezën kjo katrahurë e rrezikshme?
Pushtimi rus i Ukrainës është ndër aktet më të shëmtuara që mund ta bëjë një shtet i fuqishëm karshi një tjetri me më pak fuqi. Duke “harruar” vrasjet e pakuptimta të civilëve, miliona njerëzve të ikur e miliona të tjerëve të mbetur pa streh mbi krye, Rusia vazhdon ofanzivat vrastare në Ukrainë. Një popull i tërë i mbetur pa infrastrukturë, pa ujë, pa buk, pa ilaçe e pa rrymë elektrike. Skëterrë e vërtetë po bëhet Ukraina. Si ta kishte goditur tërmeti që shkatërroi jug-lindjen e Turqisë. Ku vrau 50 mijë njerëz e la në rrugë me miliona të tjerë. Që preku mbi 30 milion banorë me gjithë ata të mjerë që mbetën nën qiellin e hapur në Siri.
Lufta në Ukrainë është vetëm një hallkë e zingjirit të luftërave shkatërruese që ndodhën në Lindje të Mesme dhe Azi. Kemi thënë radhazi: Pikërisht në Lindje të Mesme fillojnë ngjarjet e mëdha dhe nga atje reflektojnë në gjithë botën. Ardhja në pushtet e Homeinit në vitin 1979, lufta dhjetë vjeçare irako-iraniane, lufta në Afganistan për dëbimin e Bashkimit Sovjetik, luftimet e gjata mes frakcioneve afgane e pastaj lufta kundër talebanëve do të rinisin një botë të mbushur me tym e barot. Ky tym e barot u shkaktua nga armët e dërguara atje për t’i djeguar ato vende. Po, sovjetikët u mundën në Afganistan mirëpo Rusia si pasardhëse e Perendorisë Sovjetike me gjasë nuk e harroi dëbimin e turpshëm nga Afganistani.
Pasoi pushtimi i Irakut me pretendimin se kishte armë bërthamore. “Pranvera Arabe” e rrejshme, të cilën vazhdimisht e kam quajtur “lokomotivë e ndryshimeve” në Lindjen e Mesme, i dha edhe më shumë flakë atmosferës së krijuar në atë pjesë të botës. Rrëzimet e regjimeve despotike të disa vendeve arabe reflektuan keqazi në regjionin më të nxehtë të globit. Lufta vëllavrasëse në Libi, vrasja makabër e Gadafit e së fundmi dhuna në atë vend është pasqyra më reale e asaj që ishte përgatitur për Lindjen e Mesme. Së fundmi, gjenocidi dhe shkatërrimet e mëdha në Siri vazhdojnë të reflektojnë botën e re që është krijuar. Në gjithë këtë lojë të përgjashkshme SHBA-ja dhe Rusia garuan se kush më shumë po shiste armë e cila më shumë po shtine në dorë. Rusia, sikur më parë Bashkimi Sovjetik mbetej përherë një hap prapa vendeve perëndimore. Kjo e egërsonte edhe më shumë ariun polar. U pa se ç’bënte mbi civilët e pambrojtur në Siri. Rusia megjithate luftoi që të jetë një aktor në tavolinën ku po rindahej bota. Me gjithë zullumin e vrasjet që bënte, e vetmja fushë në të cilën Rusia ishte konkurrente serioze e Perëndimit ishte shitja e armëve dhe resursve të mëdha që i dispononte. Deti i Zi ishte vital për interesat e Rusisë. Prandaj pushtoi Krimenë dhe shpërfaqi ambiciet e saj për pushtime të reja. Natyrisht duke dashur të rikthehet aty ku më parë ishte pararendësja e saj, Perandroia Sovjetike.
Një ditë, në këtë garë të madhe, erdhi koha e dyluftimit midis konkurrentëve kryesorë të armatimit. Nga viti 2008, amerikanët filluan zgjerimin e aleancës së NATO-s drejtë kufijve të Rusisë. Këtë zgjerim Rusia e lexonte si kërcënim serioz për sigurinë e saj kombëtare. Me gjithë “promovimin e demokracisë” që po e bënte atje bota perëndimore. Situata u përshkallëzua në vitin 2014 kur Rusia aneksoi Krimenë e Ukrainës dhe nxiti konfliktin në rajonin e Donbasit. Evropa u tregua e paaftë të zgjidhë problemet në mënyrë diplomatike. Në lojë u fut NATO si aleanca më e fuqishme ushtarake në botë. Rusia haptaz kundërshtoi bazat e NATO-s pranë kufijve të saj dhe kërkoi garanci që të mos zgjerohet drejt Lindjes. Për më tepër, Kremlini kërkoi me shkrim që Ukraina të mos lejohet kurrë të anëtarësohet në NATO. Ky akt i mundshëm ishte vijë të kuqe për Rusinë. E pikërisht kjo kërkesë ruse refuzohej ashpër nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ç’është e vërteta, një prej ambicieve kryesore të NATO-s ishte zgjerimi drejt Lindjes. Karshi kësaj, Rusia filloi ofenzivat e saj diplomatike dhe ushtarake drejt vendeve fqinje. Natyrisht, duke folur kinse për lidhjet historike, kulturore dhe fetare me ato vende e sidomos me pjesën lindore të Ukrainës.
Përvoja historike ka treguar se kur bëhet fjalë për fuqitë botërore, përgjatë konflikteve gjeopolitike pak se mund të shpresohet në të drejtën dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Lufta në Ukrainë ka shpalosur edhe një të keqe tjetër. Konkurrenca gjeostrategjike midis të mëdhenjve nxitë konkurrencat midis vendeve tjera që kanë qenë të gatshme edhe më parë të luftojnë kundër njëra tjetrës. Këto janë domino efekte që vijnë nga lufta gjeostrategjike e superfuqive. Siç duket qartë, tani edhe Irani, Japonia e Koreja e Jugut po ndjekin gjurmët e Pakistanit, Indisë, Koresë së Veriut dhe Izraelit. Edhe Brazili dhe Turqia herë-herë flasin me terme nukleare. Po shtohen vendet me fuqi bërthamore dhe po shtohet rreziku për njerëzimin. Rusia sot po kërcënon me luftë bërthamore, sikur edhe vendet perëndimore që i përgjigjen me të njëjtën gjuhë. Kështuqë, para pak javësh, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg bëri deklaratën e tij të frikshme: “Armët janë, në fakt, rruga drejt paqes”.
Kombet evropiane menjëherë filluan të flasin për rritjen e shpenzimeve të tyre ushtarake. Gjermania e cila kishte qëndruar jashtë garës së armëve që nga humbja e saj në Luftën e Dytë Botërore, njoftoi se po krijon një fond ushtarak prej 113 miliardë dollarësh. Rusia që ka një nga ushtritë më të fuqishme në botë dhe renditet e pesta për nga shpenzimet në armatim, në vitin 2020 kishte harxhuar 61.7 miliardë dollarë për ushtrinë e saj, ndërsa sivjet ka rritur buxhetin e mbrojtjes në 84 miliardë dollarë. Nga 11.4 për qind të shpenzimeve totale, sivjet i ka rritur për 40 për qind më shumë se sa në vitin 2021. Megjithatë, kjo është vetëm 10 për qind e SHBA-ve që do të shpenzojë për ushtrinë e saj përgjatë këtij viti. Edhe Ukraina kishte shpenzuar 5.9 miliardë dollarë për forcat e saj të armatosura, ose 8.8 për qind të shpenzimeve totale. Ndërsa tani ajo po harxhon shumë më tepër me gjithë ndihmat që i vijnë nga vendet perëndimore. Në anën tjetër, Kina e alarmuar nga ngjarjet në Evropë dhe retorika e SHBA-ve, i është bashkuar garës së armëve me një rritje të shpenzimeve ushtarake – më e madhja e saj ndonjëherë. Ajo ngriti në këmbë vendet fqinje. India, Malejzia, Singapori, Australia de Indonesia shtuan dukshëm buxhetet e tyre ushtarake, e shumë vende tjera azitaike kanë bërë kërkesa të reja për blerjen e armëve.
Industria e luftës po lulëzon si kurrë më parë. Që nga viti 2014, shpenzimet ushtarake botërore janë rritur çdo vit, duke arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 2.1 trilion dollarë në 2021. Pesë shpenzuesit më të mëdhenj që janë SHBA, Kina, India, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia, përbëjnë 62 për qind të shpenzimeve globale të mbrojtjes. Nga këto harxhime marramendëse vetëkuptohet se do të pakësohen shpenzimet e tjera si ato për sigurime shoqërore, për arsim, kulturë e shëndetësi. Kështu, në Konferencën e Sigurisë në Mynih që u mbajtë para pak ditësh, Stoltenberg paralajmëroi Perëndimin të mos bëjë të njëjtin gabim me Kinën siç bëri me Rusinë. “Të jemi të gatshëm dhe të shtojmë sigurinë tonë”, ishte këshilla e tij për vendet perëndimore. Në po atë konferencë, liderët prezentë nënvizuan përkushtimin e tyre ndaj luftës, duke e shndërruar konferencën në një arenë paralajmëruese për luftën globale me pasoja të rënda që po troket në derë.
Kthyer në histori, cinizmi është sëmundje ngjitëse në arenën ndërkombëtare. Për më tepër, cinizmi i superfuqive sot është përhapur si murtaja. Në pah doli edhe hipokrizia e fuqive botërore duke minuar multilateralizmin dhe bashkëpunimin e ngrohtë që u tregua gjatë pandemisë dhe krizës globale shëndetësore para dy viteve. Nisur nga kjo, shumë vende të botës janë koncentuar në interesat e tyre dhe kanë mbetur neutrale ndaj luftës ruse në Ukrainë. Pavarësisht presioneve, ato vende kanë parapëlqyer të ruajnë interesat e veta dhe po mundohen të ruajnë marrëdhëniet e tyre me Washingtonin, Moskën dhe Pekinin. Sidomos vendet muslimane, edhe të nisura nga përvojat e tyre përgjatë shekullit të kaluar, ato po bëjnë çmos që të mos kyçen direkt në këtë konflikt kaq i rrezikshëm.
Lufta në Ukrainë ka shpërfaqur edhe një realitet tjetër të hidhur. Megjithëqë janë bërë hapa të mëdhenj përpara si qytetërim njerëzor, me shëndetësi më të mirë, më të pasur se kur më parë e më të arsimuar, shoqëria njerëzore sot është para një lufte shkatërruese në përmasa globale.
Sa të mëdha janë Ukraina dhe Rusia dhe cilat janë eksportet kryesore të tyre?
Ukraina ka një popullsi prej 44 milionë banorësh, e shtata më e madhe në Evropë. Vendi përfshin 24 rajone. Popullsia e saj ka rënë që nga vitet 1990 me normat e lindshmërisë ndër më të ulëtat në botë. Në vitin 2020, shkalla e lindshmërisë së Ukrainës ishte vetëm 1.2 përqind. Shkencërisht dihet se për të mbetur një popullsi e qëndrueshme, kërkohet një normë e përgjithshme e lindshmërisë së paku prej 2.1 përqind. Gjithashtu, Ukraina është vendi i dytë më i madh në Evropë, pas Rusisë. Me 603,550 km katror Ukraina është pak më e vogël se shteti amerikan i Teksasit, rreth tre herë më i vogël se India, sa gjysma e Afrikës së Jugut dhe rreth dy herë e gjysmë më e madhe se Britania e Madhe.
Rusia dhe Ukraina janë shumë të pasura me naftë dhe gaz. E para ka rezervat më të larta të gazit në botë me 48,938 miliardë metra kub. Ajo ka furnizuar rreth një të tretën e gazit natyror të Evropës. Sanksionet e SHBA-ve për shkak të luftës kanë filluar të ulin nivelin e atij furnizimi, duke përkeqësuar krizën energjetike të Evropës. Gjermania ndaloi certifikimin e Nord Stream 2, një projekt gazsjellësi rus prej 11.6 miliardë dollarësh, i cili ishte projektuar për të lëvizur 151 milionë metra kub gaz në ditë drejt Evropës. Rusia ka gjithashtu disa nga rezervat më të mëdha të naftës me 80 miliardë fuçi, ose 5 për qind të totalit të prodhimit botëror. Nga ana tjetër, edhe Ukraina ka një rezervë të konsiderueshme të naftës dhe gazit. Përkatësisht 395 milionë fuçi dhe 349 miliardë metra kub. Ukraina ndodhet në udhëkryqin kryesor midis Perëndimit dhe Rusisë dhe luan një rol kyç në dërgimin e gazit rus në tregjet evropiane.
Më shumë se një e katërta e eksporteve botërore të grurit vijnë nga Rusia dhe Ukraina. Sanksionet ekonomike ose veprimet ushtarake mund të kenë një efekt të rëndësishëm në koston e ushqimit pasi importuesit kërkojnë të gjejnë alternativa. Në vitin 2019 Rusia ka eksportuar 407 miliardë dollarë produkte ndërsa Ukraina 49 miliardë. Po atë vit, eksportuesit kryesorë në botë të naftës së papërpunuar ishin Arabia Saudite (145 miliardë dollarë), Rusia (123 miliardë dollarë), Iraku (73.8 miliardë dollarë), Kanadaja (67.8 miliardë dollarë) dhe SHBA (61.9 miliardë dollarë). Kina ka blerë rreth një të katërtën (27 përqind) të eksporteve totale të naftës së Rusisë me vlerë 34 miliardë dollarë. Kjo sasi për Kinën ishte vetëm 16 përqindëshi i nevojave të saj të importeve të naftës. Të paktën 48 vende importuan naftë bruto ruse në vitin 2019. Vendet që mbështeten më shumë në naftën ruse janë:Bjellorusia, Kuba, Kazakistani, Letonia, ku secila importon gati 99 për qind të naftës së tyre të papërpunuar nga Rusia.
Rusia është eksportuesi i dytë më i madh i armëve në botë, pas Shteteve të Bashkuara, duke zënë rreth 20 për qind të shitjeve globale të armëve. Midis 2016 dhe 2020, Moska shiti 28 miliardë dollarë armë në 45 vende. Ajo eksporton 90 për qind të armëve të saj në 10 vende. Klienti i saj më i madh, India, ka blerë 23 përqind të armëve ruse për rreth 6.5 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të fundit. Gjysma e importeve totale të armëve të Indisë, 49.3 për qind, vijnë nga Rusia. Kina është blerësi i dytë më i madh i armëve ruse me 5.1 miliardë dollarë gjatë së njëjtës periudhë, e ndjekur nga Algjeria (4.2 miliardë dollarë), Egjipti (3.3 miliardë dollarë) dhe Vietnami (1.7 miliardë dollarë), sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm (SIPRI).
Çka është ‘Triada bërthamore’ me të cilën Putin lemeriti botën?
“Triada bërthamore” është një term që i referohet 3 mjeteve të lëshimit përmes të cilave sulmet bërthamore, qofshin parandaluese ose në përgjigje të një sulmi, mund të lëshohen nga toka, deti dhe ajri, veçanërisht nga raketat balistike, nëndetëset dhe bombarduesit nuklearë.
Sipas Center for Arms Control and Non-Proliferation CACNP (Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Mospërhapjen e Armëve) “Triada bërthamore” e Rusisë ka flotën bërthamore ajrore me 68 bombardues hipersonikë të rëndë, me rreze të gjata, duke përfshirë disa versione të zhvilluara nga Tupolev Tu-160 Blackjack dhe Tu-85MS. Një bombardues mund të mbajë deri në 16 raketa HK-55 dhe të gjithë këta bartës mund të mbajnë 700 koka bërthamore. Gjithashtu, flota e nëndetëseve të raketave bërthamore përfshinë 11 nëndetëse bërthamore të dizajnuara për të lëshuar raketa balistike që mund të pajisen me koka bërthamore. Nëndetëset aktive si Bulava SS-N-32, secila prej të cilave mund të mbajë 16 raketa balistike, dhe në total janë të afta të mbajnë 624 koka bërthamore.
Arsenali bërthamor i Rusisë, sipas raporteve perëndimore, posedon 5,977 armë bërthamore strategjike, duke përfshirë 2000 armë bërthamore taktike. Gjithënjë sipas CACNP, 1,588 armë bërthamore ruse janë aktualisht në gjendje gatishmërie. Një kokë bërthamore strategjike përmbanë një ngarkesë shpërthyese që varion nga 500 deri në 800 kiloton ku diapazoni i saj është më i gjatë se ai i armëve taktike që bartin ngarkesa shpërthyese prej 10 deri në 100 kiloton. Të mos harrojmë, çdo kiloton është i barabartë me një mijë ton eksploziv TNT. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara zotërojnë 90% të të gjitha armëve bërthamore në botë.
Nisur nga kjo fuqi që disponon Rusia, Vladimir Putin ka njoftuar se vendi i tij do të ngrejë gatishmërinë luftarake të “Triadës bërthamore” deri në pikën më të lartë. Natyrisht, sipas tij, si kundërpërgjigje ndaj ngritjes së tensionit midis Rusisë dhe Perëndimit. “Zotohemi se do të zhvillojmë armën hipersonike të paparë deri më tani në botë. Do të fusim në përdorim dy modelet e raketave që do ta mahnitin botën”, kërcënoi Putin para ekraneve televizive. Ai gjithashtu foli edhe për raketat “Sarmat” që ndryshe quhen “Djalli 2” dhe ato “Zirkon” të një mase shkatërrimi i pakrahasueshëm.
Po njerëzorja?
Shikuar nga rrafshi teknik dhe i zhveshur tërësisht nga aspekti njerëzorë, e gjithë Ukraina është bërë një fushë beteje ku po provohen armë të reja dhe medota të sofistikuara të luftës moderne. Aty po zhvillohet një garë midis mjeteve dhe taktikave ushtarake ruse dhe perëndimore. Në fakt, Ukraina është bërë laborator ku po mësohet se si do të zhvillohen luftërat e ardhshme.
Lufta e informacionit nëpërmes medieve sociale ndoshta është risia më e madhe në këtë luftë. Pamjet e marra nga dronët po shpërndahen gjithandej nëpër botë. Efekti psikologjik i këtyre pamjeve po krijon imazhe ndikuese tek njerëzit. Nëpërmes përdorimit të dronëve po duket se tanket do të dalin nga përdorimi. Shkatërrimet që i bënë një dron, janë më të mëdha se ato që i bëjnë tanket. Folur me gjuhën ushtarake, ato janë më të mira sepse janë më vrastare. Çfarë ironie! Po punohet që të ketë vrasje sa më shumë me sa më pak shpenzime. Franca, krenaria intelektuale e Evropës siç quhet, ka dërguar atje ekipe ekspertësh për të mësuar më shumë se si të vriten njerëzit me metoda të reja. Sistemet raketore (HIMARS) të drejtuara me GPS po lavdërohen, sepse po bëjnë shkatërrime të mëdha. Shifrat e tankeve të shkatërruara janë inkurajuese, shkruajnë ekspertët e industrisë ushatarake, këta ekspertë për vrasjen e njerëzve.
Të gjitha lajmet që vijnë prej andej, janë lajme mbi vdekjen e njerëzve të pafajshëm. Kjo është bota moderne që ende e quajmë botë e civilizuar.
Për fund:
Një gjë është më se e sigurtë. Këtë e mësojmë nga historia që na ofrohet nëpërmes ajeteve në Kur’anin e Madhërishëm. Fuqitë e mëdha bien për shkak të luftërave të mëdha. Fuqitë e mëdha janë shkatërruar kur kanë arritur zenitin e fuqisë së tyre. Për afër një shekull, Rusia dhe Amerika janë duke ndjekur njëra tjetrën. Sot këto dy superfuqi po i’a tregojnë dhëmbët njëra tjetrës. Dhe, gjendja është alarmante. Sepse, edhe nëse njëra prej tyre eventualisht shkatërrohet, e shkatërruara ka fuqi ta shkatërrojë tërë botën.