Prokuroria Themelore në Pejë, njofton se pas publikimit të video incizimit në rrjetet sociale të sulmit ndaj një gruaje të moshuar në shtëpinë e të moshuarave në Pejë, ka angazhuar dy prokurorë të shtetit dhe ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmerren masat e nevojshme ligjore ndaj personave që kanë kryer këtë vepër penale.
“Dy prokurorët e shteti dhe Policia e Kosovës në vendin ku dyshohet së është kryer vepra penale, kanë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar dhe të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi” dhe veprën penale “ndihma në kryerjen e veprës penale Sulmi””, njofton prokuroria.
Tutje, në njoftim thuhet se Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të shqyrtoj mundësinë e paraqitjes së kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit në gjykatën kompetente dhe “gjithashtu lidhur me ketë çështje penale do ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”.
Pamjet çnjerëzore teksa rrahet e moshuara mund t’i shikoni në videon më poshtë.
“Prokuroria Themelore në Pejë, për veprimet e ndërmarra rreth kësaj çështje penale do të njoftojë me kohë opinionin publik”, përfundon njoftimi.
Për arrestimin e tyre ka njoftuar edhe Policia.
“Policia e Kosovës, Stacioni Policor nё Pejё, duke u bazuar nё video incizimin i cili ka qarkulluar nё media sociale, ku shihet njё punёtore nё njё shtёpi tё pleqve nё Pejё, e cila ёshtё duke ushtruar dhunё ndaj njё të moshuare. Policia menjёherё ёshtё vёnё në veprim dhe rreth orёs 14:10, ka identifikuar lokacionin dhe ka arrestuar dy (2) tё dyshuara lidhur me rastin. Tё dyshuarat janё duke u intervistuar nga hetuesit e Stacionit Policor nё Pejё dhe nё koordimin tё plotё me prokurorin e shtetit do tё merren veprime të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.