Dita Botërore e Varfërisë: Kosova dhe Shqipëria me nivelin më të lartë të varfërisë!
Shkruan: Mustafë Bajrami
Ky është titulli që e lexojmë sot gjithandej nëpër mediat tona. Titull që na trishton, apo jo? Që na bënë të ndjehemi sikur nuk jemi njerëz si gjithë të tjerët!
Në fakt, kjo është temë që do të duhej të na preokuponte më së shumti. Temë që do studime serioze. Trajtesa shkencore e gjithpërfshirëse.
Tema pse ne shqiptarët kemi mbetur kaç poshtë e kaq larg nga të tjerët, është temë që duhet trajtuar vërtetë seriozisht. Nevojë imediate për të huumtuar shkaqet e kësaj gjendje dhe shërimin e atyre shkaqeve.
Çka na mungon neve për të qenë të njëjtë me të tjerët edhe nëse nuk arrijmë dot të jemi të barabartë?! Ku është problemi ynë dhe si ta tejkalojmë atë! Këto janë tema me të cilat duhet të merren shqiptarët. Përgjegjësit dhe kompetentët. Sidomos klasa politike dhe shtresa intelektuale. Natyrisht duke punuar në mënyrë ekipore. Jo vetanake. Për ta gjetur mënyren e daljes së shqiptarëve nga kjo gjendje.
E jo temat e neveritshme që i dëgjojmë për çdo natë të lume nëpër studiot televizive e nëpër konferenca kinse shkencore që organizohen ndonjëherë si rrallë.
Janë lodhur njerëzit nga këto marrëzi që u servohen. Kudo dhe nga të njëjtit. Janë lodhur nga këto tema banale, ç’orientuese e shumë herë amorale. Përtej të qenurit tema aspak të dobishme.
Shqiptarët duhet të nisin të mendojnë. Drejtë dhe kthjellët. Të lirohen nga zingjirët e shumtë e të ndryshëm me të cilët vetveten e kanë lidhur.
Ne duhet fillimisht t’i analizojnë shkaqet pse jemi ndër më të prapambeturit në botë, më të varfërit e me arsimimin më të dobët ndër kombet e botës?! Edhe pse të tillë jemi, ne vazhdojmë t’i mashtrojmë qytetarët me gjuhë, me fakte e shifra të rrejshme se kinse jemi tjetër. Se kinse jemi më mirë se që jemi. E jo këta që jemi. Ndër më të varfërit e më të paarsimuarit. Mashtruesë të rrezikshëm të vetvetes dhe të fëmijëve tanë.
Ka diçka në ne që nuk funksionin si duhet. Ajo diçka duhet gjetur dhe duhet riparuar…!