Luftërat janë faktorë përcaktues në histori. Luftërat që shkojnë keq, dhe që shërbejnë si pika kulmore e një rënieje më të përgjithshme kombëtare, mund të rezultojnë fatale. Kjo është veçanërisht e vërtetë për perandoritë. Perandoria e Habsburgëve, e cila sundoi Evropën Qendrore për qindra vjet, mund të kishte mbijetuar pavarësisht dekadave në rënie, po të mos kishte qenë për humbjen e saj në Luftën e Parë Botërore.
Shkruan: Robert D. Kaplan
E njëjta gjë është e vërtetë për Perandorinë Osmane, e cila që ka mesi i shekullit XIX nisi të thirrej ne nofkën e “E sëmura e Evropës”. Pra Perandoria Osmane, ashtu si ajo e Habsburgëve, mund të kishte ekzistuar edhe për shumë dekada, madje edhe të reformohej, po të mos ishte gjithashtu në anën e humbësve të Luftës së Parë Botërore.
Por nuk duhet të nënvlerësohen as pasojat e mëvonshme nga një gremisje e tillë perandorake. Perandoritë formohen nga kaosi, dhe rënia e tyre lë shpesh kaos. Shtetet më mono-etnike që u ngritën nga hiri i perandorive multi-etnike Habsburgase dhe Osmane, u treguan shpesh radikale dhe të paqëndrueshme.
Kjo sepse grupime etnike dhe sektare dhe ankesat e tyre të veçanta, të cilat ishin mbajtur nën kontroll nën “ombrellat” e përbashkëta perandorake, papritur u vetë-përzien dhe u vunë përballë njëri-tjetrit. Në përgjithësi nazizmi dhe fashizmi ndikuan mbi shtetet dhe fraksionet radikale në Ballkanin post-Habsburgas dhe post-Osman, por edhe tek intelektualët arabë që studionin në Evropë, dhe që i morën me vete këto ide në atdheun e tyre të sapo-pavarësuar post–kolonial, ku ndihmuan në formësimin e ideologjisë katastrofike të Baathizmit.
Uinston Çërçill deklaroi në fund të Luftës së Dytë Botërore, se nëse monarkitë perandorake në Gjermani, Austri dhe gjetkë nuk do të ishin rrëzuar nga vendimet e Konferencës së Paqes në Versajë “nuk do të kishte pasur asnjë Hitler”.
Shekulli XX u formësua kryesisht nga rënia e perandorive dinastike në dekadat e para, dhe nga lufta dhe trazirat gjeopolitike pasuese në dekadat e mëvonshme. Perandoria nënçmohet shumë nga intelektualët, por rënia e saj mund të sjellë probleme edhe më të mëdha.
Për shembull Lindja e Mesme, nuk ka gjetur ende një zgjidhje të përshtatshme pas rënies sëPerandorisë Osmane. Dhe kjo po shihet tek peripecitë e saj të përgjakshme gjatë 100 viteve të fundit. Kjo duhet mbajtur parasysh kur merret parasysh sot cenueshmëria e Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Këto fuqi të mëdha mund të jenë edhe më të brishta nga sa duken. Deri më tani, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur luftëra vetë-shkatërruese. Rusia në Ukrainë dhe Shtetet e Bashkuara në Afganistan dhe Irak. Sa i përket Kinës, fiksimi i saj me pushtimin e Tajvanit mund të çojë në vetë-shkatërrim.
Të treja fuqitë e mëdha botërore, kanë treguar gjatë viteve dhe dekadave të fundit periudha të një gjykimi shumë të keq në lidhje me mbijetesën e tyre afatgjatë. Nëse ndonjë apo të gjitha fuqitë e mëdha aktuale do të dobësohet shumë, konfuzioni dhe çrregullimi do të rritej jo vetëm brenda kufijve të tyre por edhe në mbarë botën. Një SHBA e dobësuar, do të ishte më pak në gjendje të mbështeste aleatët e saj në Evropë dhe Azi.
Nëse regjimi i Kremlinit do të lëkundet për shkak të faktorëve që burojnë nga lufta në Ukrainë, Rusia, e cila në aspektin institucional më e dobët se sa Kina, mund të bëhet një version i ish-Jugosllavisë, e paaftë për të kontrolluar territoret e saj historike në Kaukaz, Siberi dhe Azinë Lindore.
Trazirat ekonomike ose politike në Kinë, mund të shkaktojnë trazira rajonale brenda vendit, por edhe të inkurajojnë Indinë dhe Korenë e Veriut, politikat e të cilave janë të kufizuara nga Pekini. Fuqitë e mëdha aktuale nuk janë perandori. Por Rusia dhe Kina ruajnë gjurmët e trashëgimisë së tyre perandorake.
Lufta e Kremlinit në Ukrainë, i ka rrënjët tek impulset që ekzistonin si në perandorinë ruse,ashtu edhe në atë sovjetike. Ndërkohë synimet agresive të Kinës ndaj Tajvanit, i bëjnë jehonë synimit të dinastisë Qing për të dominuar Azinë. Shtetet e Bashkuara nuk janë identifikuar asnjëherë zyrtarisht si një perandori.
Por zgjerimi drejt perëndimit në Amerikën e Veriut dhe pushtimet e herëpashershme territoriale jashtë shtetit, i dhanë SHBA-së një ”aromë” perandorake gjatë shekullit XIX dhe në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore, kur ajo ka gëzuar një nivel dominimi global që më parë njihej vetëm për perandoritë.
Sot, të treja këto fuqi të mëdha përballen me një të ardhme të pasigurt, në të cilën nuk mund të përjashtohet kolapsi apo edhe një shkallë shpërbërjeje. Gama e problemeve është e ndryshme për secilin, por sfidat me të cilat përballet secili vend janë thelbësore për vetë ekzistencën e asaj fuqie.
Rusia përballet aktualisht me rrezikun më të menjëhershëm. Edhe nëse do të dominojë disi në luftën në Ukrainë, ajo duhet të përballet me katastrofën ekonomike të shkëputjes nga BE dhe ekonomitë e G-7, në rast se nuk do të jetë një paqe të vërtetë, e cila tani për tani duket e pamundur.
Rusia mund të jetë tashmë “E sëmura e Euroazisë”, siç ishte dikur Perandoria Osmane për Evropën. Sa i përket Kinës, rritja e saj vjetore ekonomike ka ardhur duke u ngadalësuar nga të dhënat 2-shifrore në 1-shifrore, dhe së shpejti mund të arrijë në minimumin e dekadave të fundit.
Kapitali është larguar nga vendi. Investitorët e huaj po shesin miliarda dollarë në bono dheaksione kineze. Po ashtu investimet nga jashtë janë zvogëluar, popullsia e saj është plakur,dhe fuqia punëtore ka rënë. E gjitha kjo nuk parathotë asgjë të mirë për stabilitetin e brendshëm të vendit në të ardhmen.
Shtetet e Bashkuara janë një demokraci, prandaj problemet e saj janë më transparente. Por kjo nuk i bën ato domosdoshmërisht më pak të mprehta. Fakt është se ndërsa deficiti federal po rritet në niveleve shqetësuese, vetë procesi i globalizimit i ka ndarë amerikanët në 2 grupime kundërshtare:ata që janë pjesë e vlerave të një qytetërimi të ri kozmopolit mbarëbotëror, dhe ata që e refuzojnë atë për hir të një më botë më tradicionale.
Oqeanet janë gjithnjë e më pak një faktor në shkëputjen e Shteteve të Bashkuara nga pjesa tjetër e botës. SHBA-ja ishte një demokraci e madhe që funksiononte mirë në epokën e represionit në vende të ndryshme. Por ajo ka shumë më pak sukses në epokën dixhitale, risitë e së cilës ushqyen zemërimin populist që çoi në zgjedhjet president të Donald Trump.
Për shkak të këtyre ndryshimeve, ka të ngjarë të ndodhë një konfigurim i ri i fuqisë globale. Sipas këtij skenari, Rusia do pësojë një rënie të shpejtë për shkak të luftës së saj të gabuar në Ukrainë. Kina do ta ketë shumë të vështirë të mbetet një fuqi të qëndrueshme ekonomike dhe teknologjike nën një Parti Komuniste Kineze, që po i rikthehet gjithnjë e më shumë leninizmit ortodoks.
Ndërkohë Shtetet e Bashkuara do të arrijnë të kapërcejnë trazirat e veta të brendshme, dhe do të rishfaqen si një fuqi unipolare, siç ndodhi menjëherë pas Luftës së Ftohtë. Një mundësi tjetër është një botë vërtet bipolare, në të cilën Kina e ruan dinamizmin e saj ekonomik edhe pse bëhet më autoritare.
Një skenar i tretë, është rënia graduale e të treja fuqive, duke çuar në një shkallë më të madhe anarkie në sistemin ndërkombëtar, me protagonizmin e fuqive të nivelit të mesëm, sidomos ato në Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore, dhe shtetet evropiane. Se cili skenar do të shfaqet, kjo do të varet shumë nga rezultati i garave ushtarake. Dhe këtu përfshihet edhe lufta në Ukrainë, por edhe përballja SHBA-Kinë mbi Tajvanin.
Shënim: Robert D. Kaplan, drejtues i departamentit të gjeopolitikës në Institutin e Kërkimeve të revistës “Foreign Affairs”. / Marrë me shkurtime nga “Foreign Affairs” – Bota.al