Debati i ashtuquajtur “mbi shaminë”, i riaktualizuar në mënyrë reaguese ndaj një nisme dhe peticioni të lirë qytetar të filluar përmes internetit, përveç që ka tejkaluar tematikën e shamisë, ai, gjithashtu, tanimë nuk është DEBAT.
Shkruan: Feston Hajdini
Debati (i mirëfilltë) është një mënyrë diskutimi (formal qoftë ose jo) ku palët pjesëmarrëse paraqesin dhe aryetojnë idetë e veta në lidhje me ndonjë ngjarje a fenomen të caktuar mbi bazën një niveli të pranueshëm arsyeshmërie dhe argumentesh objektive. Ndërsa, natyra e shprehjeve, gjuha e përdorur dhe kërkesat përgjatë reagimeve të grupit kundër nismës dhe kërkesës në fjalë tanimë kanë eskaluar në retorikë të ashpër urrejtje-nxitëse dhe stigmatizuese ndaj masës shoqërore fetare praktikuese. Duke qartë se kjo retorikë po i vë postulatet teorike të një kauze për ndryshim të realitetit shoqëror, faza vijuese e së cilës është mobilizimi për zbritjen e saj në terren në mënyrë revolucionare. E, çka përmban kjo retorikë dhe çka do të thotë realizimi i saj në terren në revolucionare?
Ndëgjuam dhe lexuam: nga portertizimi i përkatësisë fetare islame të shqiptarëve në mënyrë konfliktuale ndaj vlerave dhe identietit politik perëndimor deri te kontestimi i atdhetarisë së tyre dhe “rrezikimi” i identitetit kombëtar nga ajo. Ndëgjuam dhe lexuam interpretimin dhe njëjtësimin e shtetit laik me shoqëri laike (dmth, sipas tyre, nëse shteti është laik, edhe shoqëria domosdoshmërisht duhet të jetë laike). Gjithësesi, përshkrimin e besimit në terma primitiv. Nuk munguan edhe anomalitë dhe banalitetet: “feja e shqiptarit është shqiptaria”, ose “a je shqiptar apo musliman”! Dhe, të bashkëngjitur më poshtë, si edhe më herët, gjetëm edhe faturën e pothuajse të gjitha dështimeve në ekonomi, drejtësi, arsim etj.
Fillimisht, edhe ata vetë e dinë se të gjitha këto negativitete janë deformime të qëllimshme dhe akuza absolutisht të paqena, por, kjo u intereson pak ose aspak. Këto u hyjnë në punë atyre për ta ndërtuar boshtin e strategjisë së kauzës së tyre: fajësim i përgjithshëm. Përmes hedhjes mbi ta të peshës së përgjithshme të fajit, masës fetare t’u shkaktohet presion dhe dhunë psiqike, dhe, të lodhur nga presioni dhe dhuna psiqike të detyrohen të heqin dorë nga përkatësia e tyre fetare si mënyra e vetme e shfajësimit. Kjo është faza e parë. Nëse masa fetare nuk dorëzohet në këtë fazë, masat e fazës së dytë janë përjashtimi dhe përndjekja. Po, përndjekja! Sepse nuk ka si të tolerohet dhe të mos preket dikush që (sipas tyre) e rrezikon shtetin, kombin dhe të ardhmen e tij.
Por, e vërteta është se të gjitha këto deformime, etiketa e akuza të përmendura më lart, janë, as më shumë as më pak, se, vetëm shijet e këtyre protagonistëve, të cilat, në mënyrë propaganduese masive, tentojnë t’i ngjizin (lexo: imponojnë) në nivel problematikash dhe shqetësimesh shtetërore dhe kombëtare në mënyrë që të gjejnë sponzorë (lexo :monstrum, diktator) institucional që do t’i realizojë ato.
Themi se janë shijet e tyre dhe jo paragjykimet, sepse, paragjykim, në kontekst të temës këtu, do të thotë të kesh mendim të gabuar ndaj bindjeve fetare të një individi a mase të caktuar përderisa ende nuk i njeh ato, por, mobilizimi për tua ndërruar bindjet dhe praktikat asaj mase ka të bëjë vetëm me shijet, dhe jo me paragjykime. Pra, një shoqëri shqiptare pa individë dhe masë me përkatësi dhe praktikë fetare islame është një punë shijeje e atyre, dhe jo problematikë shtetërore e kombëtare. /tesheshi.com/
*Autori ndjek studimet PhD në fushën e Administratës Publike në Universitetin Ankara Haci Bayram Veli, Ankara.