Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka mbajtur një konferencë të gjatë, plot “sallta” pas takimit të tij me strukturat ilegale serbe në Kosovë.
Si zakonisht, Vuçiq herë luan viktimën, e herë kërcënon Kosovën dhe kështu ndodhi edhe sot. Madje, ai gjeti kohë edhe të fajësojë Perëndimin.
Ndër tjerash, Vuçiq tha se ka informacione se para përshkallëzimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 31 korrik, një grup çeçenësh dhe çerkezësh, të cilët janë kundërshtarë të regjimit të liderit çeçen Ramzan Kadyrov, kanë qëndruar në Kosovë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Vuçiq tha se do ta kërkojë një zgjidhje kompromisi në 10 ditët e ardhshme dhe këtë tha se e duan edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
“Na dhanë dorën e lirë, por na vendosën vija të kuqe, për të cilat nuk do të flas tani. Ata thanë se do të pranonin çdo kompromis që do të gjenim, kërkuan vetëm garanci se nuk do të përjetonin përndjekje”, tha ai në një konferencë për media.
Vuçiq, me paraqitjen e njohur të tij prej aktori, tha se serbët mund ta shpërbënin rendin e vendosur nga Brukseli në Kosovë.
“Më kanë informuar se do të largohen nga institucionet nëse vazhdon terrori. Do të ketë shpërbërje të plotë të rendit të vendosur në bazë të Marrëveshjes së Brukselit”, tha Vuçiq.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e quajti “bandë” Policinë e Kosovës duke folur me goxha zë në një konferencë për media pas takimit me përfaqësuesit e strukturave ilegale të tij në Kosovë.
Vuçiq tha se “njësitë speciale e kanë pushtuar shumë herë veriun”. Për të shkuar andej, sipas tij, Policia e Kosovës duhet të kërkojë leje nga kryetarët e katër komunave me shumicë serbe.
“Detyra e tyre është ta sigurojmë paqen për serbët në Kosovë. Nuk është puna juaj ta shkatërroni pronën e popullatës serbe, por të siguroheni që kjo bandë të mos kalojë Ibrin. Për ju barrikadat janë problem, jo kriminelët dhe vendimet e paligjshme. Stoltenberg e konfirmon këtë në intervistën e tij”, ka theksuar Vuçiq.
Pas kësaj, është zbutur, duke thënë se “serbët e dinë çka është NATO”.
“Serbët nuk janë budallenj dhe ata e dinë se çka është NATO, tashmë kanë vuajtur nga NATO dhe nuk iu shkon mendja që ta përjetojnë më”, tha Vuçiq.
Presidenti serb tha se është i sigurt se Perëndimi ka gisht mbi gjithçka që po ndodh në Kosovë.
Në takimin me Vuçiqin ishte i pranishëm edhe Milan Radoiçiq, i futur në listën e zezë të SHBA-së – i cili në fillim të qershorit u shfaq në veri të Kosovës. Në Kosovë për të është ende në fuqi një urdhërarrest.
Përveç Radoiçiqit, aty morën pjesë edhe kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, ministri i Financave, Sinisha Malog dhe drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq. Ky i fundit, pas takimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me Vuçiqin në Bruksel, tha se s’ka pasur kompromis.
Takimi Kurti – Vuçiq nuk prodhoi ndonjë marrëveshje, gjë të cilën e konfirmoi shefi i diplomacisë i Bashkimit Europian, Josep Borrell.
Paraprakisht, Vuçiq dje ishte takuar me shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe.