Në bashkëpunim me Bashkinë Metropolitane të Bursës, Komunën e Çairit në Shkup dhe Shoqatën Humanitare El Hilal, para Kalasë së Shkupit u organizua ceremonia e synetisë për 250 fëmijë.
Në Shkup u mbajt manifestimi tradicional kolektiv i synetisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në bashkëpunim me Bashkinë Metropolitane të Bursës, Komunën e Çairit në Shkup dhe Shoqatën Humanitare El Hilal, para Kalasë së Shkupit u organizua ceremonia e synetisë për 250 fëmijë.
Në ceremoni, e cila filloi me recitimin e Kuranit të Shenjtë, morën pjesë nënkryetari i Bashkisë Metropolitane të Bursës, Şaban Fethi Yıldız, sekretari i Komunës së Çairit, Faruk Nevzadi, kryetari i shoqatës El Hilal, Behixhuddin Shehabi, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme, fëmijë të synetuar dhe familjet e tyre.
Yıldız në fjalën e tij përshëndeti të pranishmit në emër të kryetarit të bashkisë Alinur Aktaş.
“Si Bashki e Bursës, dyert dhe zemrat tona janë gjithmonë të hapura për ju”, tha Yıldız, duke theksuar se janë krenarë dhe të nderuar me aktivitetet e tyre kulturore dhe restauruese në rajon.
Duke falënderuar të gjithë ata që kanë dhënë mbështetje për synetimin e 250 fëmijëve, Yıldız tha: “Ne jemi me ju. Ne jemi gjithmonë me ju, si Bashki Metropolitane e Bursës dhe së bashku me Presidentin e Republikës së Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan”, tha ai.
Ndërkaq, Shehabi tha se përmasat e kësaj ceremonie, në të cilën ata kanë qenë të fokusuar prej 17 vitesh, janë të mëdha.
Duke falënderuar Bashkinë Metropolitane të Bursës për mbështetjen e dhënë, ai vuri në dukje se këtë vit kanë mundësuar synetimin e 250 fëmijëve nga qytete të ndryshme të vendit.
“Sigurisht që ky aktivitet për fëmijët ka një dimension të madh social. Megjithatë, veshjet që ata veshin japin një kontribut të rëndësishëm për të ringjallur traditat, zakonet dhe festat tona”, deklaroi Shehabi.
Sekretari i Komunës së Çairit, Faruk Nevzadi, po ashtu shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen dhe mbështetjen në këtë manifestim.
“Me vite bashkëpunojmë me qytetin e Bursës. U shprehim mirëseardhje. Është shumëdimensional ky manifestim që bëhet duke filluar nga aspekti human njerëzor, fetar, kulturor, social, por edhe shëndetësor”, u shpreh ai.
Mustafa Mesten, këshilltar i Shërbimeve Fetare në Ambasadën e Türkiye-s në Shkup, pas fjalimit të tij për rëndësinë e synetisë, bëri lutjen e synetisë së fëmijëve.
Kori i Muzikës Klasike Turke të Akademisë së Artit Fatih Erkoç, i cili ndodhet në Shkup për të marrë pjesë në një festival në vend, performoi si pjesë e ceremonisë.
Në kuadër të ceremonisë u shfaqën valle popullore nga grupe të ndryshme folklorike.