Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, duke iu referuar procesit të anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, përsëriti se qëndrimi i Turqisë është i qartë dhe se do ta ngrijë procesin nëse dy vendet e përmendura nuk ndërmarrin hapat e duhur për të zbatuar kushtet e Ankarasë, raporton AA.
“Unë e përsëris se ne do të ngrijmë procesin e anëtarësimit të tyre në NATO nëse ata nuk plotësojnë kushtet,” tha Erdogan pas mbledhjes së kabinetit, duke iu referuar kushteve të memorandumit që vendet nordike nënshkruan me Turqinë në samitin e NATO-s muajin e kaluar.
Më parë këtë muaj, përfaqësuesit e 30 anëtarëve të NATO-s nënshkruan protokollet e pranimit për Finlandën dhe Suedinë pasi ata u ftuan zyrtarisht për t’u bashkuar me aleancën ushtarake.
Si rezultat i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, të dy vendet aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO në maj.
Por Turqia ka shprehur shqetësime në lidhje me anëtarësimin, duke kritikuar vendin për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve të cilat ajo i cilëson si terroriste, ku veçojnë YPG/PKK dhe FETO.
Përpara samitit, Ankaraja dhe dy vendet skandinave nënshkruan një memorandum pas katër ditësh bisedimesh.
Marrëveshja i lejon vendet të bëhen anëtarë të NATO-s, por u kërkon atyre të ndërmarrin hapa për të adresuar shqetësimet e Turqisë për terrorizmin dhe për të hequr embargon e armëve.
Të hënën, Erdogan tha se vërehet se Suedia nuk jep një imazh të mirë.
“Pozicioni i Turqisë është i qartë, varet prej tyre”, tha Erdogan.
Presidenti turk trajtoi gjithashtu një sërë çështjesh të tjera, duke përfshirë synimet e vendit për të ardhmen.
“Kur Turqia të lërë pas 2023 në përputhje me qëllimet e saj, të gjithë së bashku do të shohim se na pret një epokë e re, e ndritshme”, tha Erdogan.