Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” ka dalë me një thirrje për konsumatorët e saj që të përdorin ujin në mënyrë më racionale.
Kompania thotë se çdo ditë e më shumë po rriten kërkesat për ujë të pijshëm, ndërsa ka rënie të nivelit në dy liqenet prej ku merret uji për furnizim.
“Niveli i ujit në liqenin e Batllavës sot është minus 1.52 metra nën kuotën maksimale të kapërderdhjes, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit minus 7.90 metra nën kuotën maksimale të kapërderdhjes. Të gjithë jemi përdorues të ujit, prandaj ne jemi edhe përgjegjës për ta shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë”, thuhet në komunikatën e ujësjellësit. Të shpenzojmë ujin e pijshëm për nevoja shtëpiake dhe assesi për destinime tjera të pa arsyeshme”.
KRU |Prishtina” thotë se me të gjitha kapacitetet teknike trajtuese është duke bërë shpërndarje të barabartë të ujit të pijshëm te të gjithë konsumatorët.
“Ujin e zëvendëson vetëm uji! Andaj, t’i ruajmë dhe mbrojmë burimet e ujit për periudhat vijuese! Dje dhe sot uji po keqpërdoret me të madhe, me ç’rast pikat e larta të furnizimit po kanë vështirësi në furnizim të rregullt me ujë”.