Ndërsa aeroplani i saj filloi të aterronte në Seychelles, më 6 tetor të vitit 2019, influencuesja e udhëtimeve ugandezo-amerikane, Jessica Nabongo shikonte në dritare gjersa përgatitej për rastin e rëndësishëm që do të ndodhte.
Jo vetëm që ajo ishte gati të bëhej anëtare e një klubi prestigjioz të përbërë nga shumë pak njerëz që kanë udhëtuar në çdo vend të botës, ajo do të ishte gruaja e parë me ngjyrë që e kishte dokumentuar një gjë të tillë.
Nabongo shoqërohej nga 28 miq dhe familjarë të saj, të cilët realizuan udhëtimin e fundit që bëri histori, transmeton Telegrafi.
Ajo kishte realizuar më shumë se 450 fluturime dhe ka përshkruar mbi 1.6 milion kilometra vijë ajrore, duke vizituar të gjitha 195 vendet që janë anëtarë të Kombeve të Bashkuara.
“Përvoja ishte rraskapitëse”, thotë Nabongo, e cila bëri më shumë se 170 fluturime në një vit gjersa në disa raste ishte pranë dorëzimit.
“Ka pasur disa raste kur më kapte paniku dhe pyesja veten, ‘oh zot, a do të rezultojë kjo me dështim?”, tha ajo për CNN Travel.
Nabongo që atëherë ka shkruar një libër, “The Catch Me If You Can”, duke detajuar përvojat e saj gjersa lëvizte nga një vend në tjetrin gjatë sfidës epike.
I emëruar sipas blogut të saj të njohur, ajo rrëfen udhëtimin e saj rekord, duke u fokusuar në 100 nga 195 vendet që ajo vizitoi.
“Unë jam e çmendur pas gjeografisë”, pohoi Nabongo rreth vendimit që mori për të sfiduar veten, duke shpjeguar se ishte diçka që ajo kishte dashur ta bënte të paktën një dekadë përpara se ta provonte.
“Në vitin 2017, mora një lloj vendimi që doja ta bëja deri në ditëlindjen time të 35-të”, thotë ajo.
“E shtyva tutje ditëlindjen time për pesë muaj”, shpjegon Nabongo. “Por unë arrita në ditëlindjen e babait tim. Ai ndërroi jetë vetëm dy ditë pas ditëlindjes sime të 19-të”.
Sipas Nabongo, e cila ka lindur në Detroit, një nga arsyet kryesore që ajo u ndje e detyruar për të shkruar, “The Catch Me If You Can”, ishte për faktin se shumë pak njerëz me ngjyrë janë në mesin e rreth 400 udhëtarëve që mendohet se kanë vizituar çdo vend në botë.
“Ne jemi mësuar ta shohim botën përmes lenteve të burrave të bardhë”, thotë Nabongo, e cila ka përdorur fotot e saj në libër. “Dhe kjo është ndryshe. Është e qartë se kisha një përvojë unike sidomos në aspektin se si e shohim njerëzimin. Unë shoh një ndryshim të madh”.
Nabongo prek përvojat e saja duke udhëtuar si një grua e zezë teksa vënë në dukje se një përfaqësim i tillë është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
“Bëhet fjalë për normalizimin e ekzistencës sonë, sepse, po, edhe në vitin 2022, shpesh ndodh të jem gruaja e vetme me ngjyrë në një aeroplan”, shkruan ajo teksa shton se “unë mund të udhëtoj për ditë të tëra. Misioni im është të krijojë hapësirë dhe të them se ne jemi këtu dhe i përkasim kësaj bote”, shtoi ajo.
Ajo ndjen një përgjegjësi për të folur rreth destinacioneve që nuk janë medeomos pika të nxehta turistike dhe në këtë formë të sfidojë paragjykimet.
“Kjo është vërtetë e rëndësishme për mua”, pranon ajo duke shtuar se “të tregoj histori rreth vendeve ku shumica e njerëzve nuk mund të udhëtojnë kurrë dhe të shfrytëzojë platformën time për t’i vënë këto vende në pozita më të mira nga sa i shohim zakonisht”.
“Kam gjetur shumë bukuri në shumë vende që njerëzit ndoshta nuk do ta prisnin”, tha amerikania me prejardhje ugandeze.
Këto vende përfshijnë Afganistanin, ku ajo u mahnit nga faltorja e Profetit Aliut, e njohur gjithashtu si “Xhamia e Kaltër” në qytetin verior të Mazar-i-Sharif. Gjithashtu vizitojë Pakistanin, ku ajo nuk mund të ngopej me ushqimin e rrugës, dhe Iranin, ku ajo vizitoi qytetin e lashtë Yazd, transmeton Telegrafi.
Ish-punonjësja e OKB-së vëren se të kesh një blog të suksesshëm dhe mbi 200 mijë ndjekës në Instagram, të ofron shumë privilegje, veçanërisht kur bëhet fjalë për udhëtimet, por ajo është shumë e kujdesshme për përmbajtjen që ndan, duke pranuar se ndikimi i mediave sociale nuk ka qenë plotësisht pozitiv kur bëhet fjalë për lokacione të cenueshme.
“Kur isha në Maui [Hawaii], gjeta një pyll vërtetë të mahnitshëm”, thotë ajo. “Unë nuk bëra një gjeoetiketë [koordinatat gjeografike të vendndodhjes] sepse e di se çfarë mund t’i ndodh atij pylli”.
“Kur arrita në Machu Picchu, thashë: “Oh, duket tamam si fotot”, pranon ajo. “Por, ishte zhgënjyese”.
“Ju ëndërroni vende të tilla si Bali dhe Maroku. Por, kjo thjesht nuk është interesante për mua. Jemeni, Afganistani dhe Sudani i Jugut janë më interesant për mua. Ka kaq shumë vende që njerëzit mendojnë se nuk janë të vlefshme për sa i përket turizmit, ku kam kaluar një kohë të mrekullueshme. Unë me të vërtetë shpresoj që nëpërmjet tregimit tim, të ketë një reduktim të paragjykimeve për ‘vendet’ e zeza”, pohoi ajo.
Gjatë disa momenteve të vështira që ka kaluar në rrugëtimin e saj, Nabongo filloi të pyeste vetën nëse do të arrinte në Seychelles, vendi i fundit në listën e saj.
Por, udhëtimet i kishin lënë shumë më tepër përshtypje sesa thjesht arritja e një objektivi – ajo e dinte se po zbulonte vende që ndjekësit e saj nuk do të kishin menduar kurrë t’i vizitonin.
Kur ajo arriti në Mali, një vend pa dalje në det në Afrikën Perëndimore, ishin fjalët e disa vendasve që e bindën atë të vazhdonte.
“Një nga djemtë tha, ‘Nuk është për ty, është për ne burrat’”, thotë ajo. “Kjo ishte me të vërtetë një pikë kthese e madhe. Gjersa audienca ime po rritej dhe njerëzit po më dërgonin e-mail, unë po kuptoja se udhëtimi po bëhej shumë më i madh se unë. Ata burra me të vërtetë më ndihmuan të arrija në vijën e finishit”.
Ndërsa Nabongo vëren se pasaporta amerikane i jepte asaj privilegje që nuk u jepen udhëtarëve të kombësive të tjera, ajo shpjegon se ajo ishte në gjendje të udhëtonte në mbi 40 vende me pasaportën e saj nga Uganda.
“Posedimi i një pasaporte amerikane dhe ugandeze ishte në favorin tim”, pranon ajo. “Sepse është shumë e vështirë për amerikanët të shkojnë në Iran. Dhe qeveria amerikane i ndalon amerikanët të shkojnë në Korenë e Veriut (përjashtimet janë bërë në rrethana shumë të kufizuara), por unë kisha një pasaportë ugandeze që më lehtësonte udhëtimin. Kjo ishte arma ime sekrete. Nëse do të kisha vetëm një pasaportë amerikane, ndoshta nuk do ta kisha arritur objektivat”.
Suksesi i saj, së bashku me atë të udhëtarëve të tjerë si ajo, pa dyshim do të ketë frymëzuar të tjerët që të përpiqen të udhëtojnë në çdo vend të botës, por ajo dëshiron të theksojë se ky qëllim i veçantë nuk është për të gjithë.
Përpara se të niset në një kërkim të tillë, Nabongo thekson se udhëtarët duhet të pyesin vërtetë pse duan të nisin këtë sfidë, “sepse ky motiv do t’ju dërgojë drejt vijës së finishit”.
Ajo shpreson se historia e saj do t’i inkurajojë të tjerët të shkojnë pas ëndrrave të tyre, çilat do qofshin ato.
“Unë nuk mendoj se të gjithë janë të interesuar të shkojnë në çdo vend të botës. Por ajo që unë dua që njerëzit të dinë është se ata kanë gjithçka brenda tyre për të bërë çfarëdo që duan të bëjnë në jetë. Dhe nëse do të mund të shkoja në çdo vend të botës, i cili është i egër, ndihem sikur ëndrra e të gjithëve është e arritshme”, tha ajo.
Në “The Catch Me If You Can”, Nabongo ndan histori të ndryshme të të huajve që kanë qenë veçanërisht të sjellshëm me të gjatë udhëtimeve, duke përfshirë një guidë turistike të quajtur Maha në Jordani, e cila i dha asaj një fustan si simbol të miqësisë së tyre.
“Patjetër që kam miq nga e gjithë bota”, thotë ajo, përpara se të shprehë kënaqësinë e saj sesi shkrimi i librit e ka ndihmuar për ta vënë atë përsëri në kontakt me shumë nga ata që ka takuar rrugës.
“Ka qenë vërtetë e mrekullueshme. Në çdo moment të caktuar në WhatsApp-in tim, ndoshta ka biseda që zhvillohen prej 20 vendeve. Nëse je i hapur ndaj kësaj, mund të bësh shpejt miq dhe në disa raste edhe familje. Për mua, shtëpia nuk ka të bëjë me vendndodhjen, por me njerëzit. Mendoj se kjo është arsyeja pse ndihem kaq e lidhur me njerëzit kur udhëtojë. Sepse është sikur po ndërtojë shtëpi të vogla në të gjithë botën, nëse do”, tha ajo.
Ndërkohë që procesi i të vizituarit çdo vend në botë ishte rraskapitës, Nabongo rrëfen se shkrimi i librit autobiografik, “The Catch Me If You Can” ishte i vështirë.
Por ajo shpreson se libri do të frymëzojë më shumë mirësi ndërmjet njerëzve në botë, duke shpjeguar se ajo ka vënë re një ndryshim në sjelljen e të tjerëve, veçanërisht gjatë udhëtimit, që nga ditët e para të pandemisë.
“Ishte e gjitha dashuri dhe mirësi, dhe më pas u bë çmenduri”, thotë ajo duke shtuar se “tani po shohim njerëz që përleshen në aeroplanë dhe janë shumë të këqij. Pra, mendoj për fat të keq, ajo goditje fillestare e dashurisë dhe humanizmit që morëm në katër deri në gjashtë muajt e parë është zhdukur”.
Nabongo pranon se kjo e ka lënë të ndihet e dëshpëruar. Megjithatë, ajo mbetet e inkurajuar nga përvojat e saj të mirësisë njerëzore dhe vazhdon të kërkojë bukurinë në botë kudo që shkon.
Dhe tani që ajo ka vizituar çdo vend, pasioni i Nabongo për udhëtimet vetëm sa është bërë më i fortë.
Në kohën e shkrimit, ajo do të bëjë një tjetër udhëtim në Senegal, të cilin ajo e përshkruan si “vendin e saj të lumtur” dhe përfundimisht planifikon të shënojë një qëllim tjetër, duke vizituar çdo shtet në SHBA.
“Më kanë mbetur edhe gjashtë”, shpjegon ajo, përpara se të theksojë se nuk është në nxitim dhe do ta përfundojë këtë detyrë të veçantë, “kur t’ia arrij”.