Dëbimi i shqiptarëve nga Kosova, Dukagjini, Sanxhaku dhe Maqedonia ka filluar në Luftën e Parë Ballkanike, ku sipas dokumenteve të diplomacisë serbe 281 mijë e 747 shqiptarë janë dëbuar deri në fund të vitit 1914, duke mos llogaritur fëmijë nën moshën 6-vjeç.
Kështu u tha në konferencën e organizuar nga Qendra për Hulumtime Politike “Alternativa” sot me temën “Një shekull gjenocid mbi shqiptarët”.
Gjatë kësaj konference personalitete të ndryshme kanë folur mbi dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre, marrëdhëniet shqiptaro-greke, politikat e njohjes së gjenocidit si dhe për auto gjenocidin.
Bujar Dugolli, dekan i Fakultetit Filozofik, tregoi për dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve nga Kosova gjatë shekullit të 20-të, ndërsa theksoi se sipas dokumenteve të diplomacisë serbe, 281 mijë e 747 shqiptarë janë dëbuar deri në fund të vitit 1914.
“Nga dëbimi i shqiptarëve nga Kosova, Dukagjini, Sanxhaku dhe Maqedonia ka filluar në Luftën e Parë Ballkanike, sipas dokumenteve të vetë diplomacisë serbe 281 mijë e 747 njerëz janë dëbuar deri në fund të vitit 1914, duke mos llogaritur fëmijë nën moshën 6-vjeçare, të cilët nuk i numëronin. Në pronat e shqiptarëve të dëbuar, qeveria serbe kishte vendosur 20 mijë familje serbe, ndërsa Qeveria e Malit të Zi e kishte planifikuar t’i vendoste pesë mijë familje, kryesisht në Rrafshin e Dukagjinit”, tha ai.
Nderkaq, profesori dhe studiuesi nga Tirana Enis Sulstarova, ka folur mbi temën politikat e njohjes së gjenocidit.
“Kur Kosova ka shënuar subjektin e pavarur, po kërkon të fitojë kohën e humbur dhe po e përdor termin gjenocid në marrëdhëniet e saj me Serbinë, pra gjoja se Kosova kërkon që Serbia t’i bëjë këtij gjenocidi të paktën atij më të vonë të viteve ’98-99, sërish në vëmë re në një ndrojtje nga Shqipëria për t’iu bashkuar kësaj nisme. Kujtojmë para një viti kur Vuçiq shpalli idenë meqenëse Kosova nuk bën… Atëherë akuza ndaj Serbisë mund të ngrihet nga Shqipëria. Menjëherë kryeministri i Shqipërisë e cilësoi këtë frikë duke thënë që gjenocidi është një fjalë shumë e mirë e përkufizuar në arkitekturën juridike të njerëzimit dhe mendoj që do të ishte një iniciativë që do të sillte rezultate që do të ndihmonte paqen dhe bashkëpunimin”, tha ai.
Ndërsa profesori Nexhmedin Spahiu foli paktin e qeverisë së atëhershme shqiptare dhe komunistëve.
“Shqiptarët kishin pasur bashkëpunime me të gjithë kundër të gjithëve, kishte bashkëpunim mes ballistëve dhe komunistëve, mes komunistëve dhe zogistëve, mes Qeverisë dhe ballistëve, mes qeverisë dhe zogistëve dhe në fund ajo që duket më e pabesueshmja bashkëpunimi mes italianëve dhe komunistëve dhe gjermanëve dhe komunistëve. Por, pakti mes Qeverisë dhe komunistëve, kur komunistët kishin filluar serinë e atentateve, Qeveria ekzekutoi disa komunistë si vërejtje dhe rrjedhimisht ministri i brendshëm (Kolë Bibë) Mirakaj, kishte bërë pakt mes komunistëve për ndarjen e atentateve, të cilën komunistët e kishin respektuar derisa kishte qenë në këtë pozitë Mirakaj. Në pozitën që erdhi pas Mirakaj flitet se si politikanët e Shqipërisë të vitit 1913 nuk i kuptonin problemet e Kosovës dhe rrezikun serb”, tha ai.
Konferenca është mbajtur në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.