Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian OSBE në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt, ka organizuar sot një takim me kryetarët e fshatrave të komunës së Ferizajt, lidhur me temën e hartimit të buxhetit dhe përfshirjen e nevojave të lokaliteteve të ndryshme në kuadër të këtij buxheti.
Fillimisht përfaqësues nga OSBE dhe drejtoresha për Buxhet e Financa në qeverinë lokale të Ferizajt Sebahate Ajeti Sadiku shpjeguan se buxheti i vitit 2020, tashmë është i hartuar, por kërkesat e qytetarëve mund të barten edhe për vitet e ardhshme ngase zgjedhja e kryetarëve të fshatrave e ka lehtësuar tashmë adresimin e nevojave të komuniteteve.
Ndërkaq përfaqësues të disa fshatrave paraqitën ankesat e tyre për çështjet të cilat i mundojnë duke filluar nga mungesa e ujit nëpër shtëpitë e tyre, e deri tek ndërtimi i fushave sportive. Kurse kërkesa për intervenime të ndryshme pati edhe nga kryetarët e lagjeve të qytetit.
Nga ana tjetër udhëheqës të qeverisë lokale të Ferizajt potencuan se në bazë të disa planifikimeve gjatë vitit të ardhshëm do të bëhen shpime të reja për burime të ujit, si dhe plane konkrete për realizim të nevojave të tjera infrastrukturore.
Buxheti i komunës së Ferizajt pas shumë procedurave të hartimit dhe dëgjimeve buxhetore tashmë i është dorëzuar Kuvendit dhe pritet të miratohet në seancën e radhës. Ai peshon mbi 36 milionë euro dhe ka përfshirë një numër të madh të projekteve , ku rreth 3 milionë euro janë planifikuar vetëm për projektet kapitale.
Discussion about this post