Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu.
“Republika e Turqisë është partner, mik dhe aleat i madh i Republikës së Kosovës”, tha Kurti, teksa shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë.
Kryediplomati turk theksoi mbështetjen e Turqisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, sikurse edhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Ai tha se Turqia e mbështet anëtarësimin e vendit tonë në Këshillin e Evropës dhe se Kosova është vend partner i NATO-s.
Çacasoglu theksoi se Turqia e ka shumë të rëndësishme paqen dhe stabilitetin, dhe se nuk do të lejojë që rajoni i Ballkanit të kthehet në vitet e errëta të viteve 90.
Ministri vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve.
Duke potencuar stabilitetin institucional dhe indikatorët pozitiv ekonomik, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social, dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit.
Kurti veçoi synimin e Kosovës për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s ndërsa theksoi mundësitë për rritje të bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri.
“U diskutua për shumë fusha të bashkëpunimit në ekonomi, energji, siguri dhe mbrojtje. U vlerësuan lidhjet e shumta mes dy vendeve, duke veçuar ato mes qytetarëve, që janë një urë për marrëdhëniet e forta dypalëshe”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.