Shumë tifozë pyesin shpesh se përse sulmuesi i Real Madrid, Karim Benzema shtrëngon dorën e djathtë para çdo ndeshjeje, disa mendojnë për shkak të besëtytnive por nuk është e vërtetë. Ai e mban për shkak të një dëmtimi të pësuar kundër Real Betis në janar të vitit 2019.
Dëmtimi i francezit kishte ndodhur pas një përplasjeje me mbrojtësin e Betisit, Marc Bartra duke e lënë Benzeman me një thyerje të gishtit. Në atë kohë atij iu tha se operacioni do ta linte atë mënjanë për dy muaj.
Benzema kishte treguar shpirtin e tij luftarak dhe nuk kishte dashur të lejonte Real Madridin pa sulmuesin e tyre kryesor dhe kishte vendosur të priste deri në fund të sezonit për të kryer operacionin.
Pas operacionit i cili kishte përfunduar me sukses, 34-vjeçari kishte filluar rehabilitimin për të qenë i disponueshëm për fillimin e sezonit të ardhshëm. Pas kthimit të tij, ai mori përsëri një goditje tjetër dhe që nga ajo kohë ai mban një fashë për shkak të mosdhënies së kohës së mjaftueshme pas operacionit për t’u shëruar.
Megjithatë kandidati më favorit për të fituar Topin e Artë këtë sezon nuk e ka lënë këtë t’i pengoj që të performojë në mënyrën më të mirë. Ai këtë edicion ka realizuar 44 gola dhe ka regjistruar edhe 15 asistime në 46 ndeshje.
Përveç kësaj Benzema ishte edhe lojtari me më së shumti gola në La Liga (27) dhe në Ligën e Kampionëve (15).