Dozat aq të nevojshme të kalciumit, i janë atribuuar gjithmonë produkteve të bulmetit. Megjithatë, gjithkush mund t’i gëzohet një sërë alternativave të tjera të shëndetshme të produkteve jo bulmetore dhe jo shtazore që kanë doza të larta kalciumi.
Një i rritur ka nevojë për 1.000 miligramë kalcium në ditë (rreth tre gota qumësht në ditë) për të pasur dhëmbë dhe kocka të shëndetshme. Lexoni më poshtë listën e përgatitur nga AgroWeb për ushqimet që duhet të konsumoni për të përfituar dozën e nevojshme ditore të kalciumit.
Lakrat e egra. Dy filxhanë me gjethet e lakrave të egra përmbajnë 188 miligramë kalcium. Këto gjethe mund t’i konsumosh të gatuara ose jo. Sido që t’i konsumosh trupi merr të njëjtin nivel vlerash ushqimore. Produkte të tjera janë finoku, brokoli dhe artiçoka. Një lugë me fara finoku përmban 59 miligramë kalcium. Një copë brokoli i pagatuar përmban 71 miligramë kalcium. Një artiçokë e mesme përmban 25 miligramë kalcium.
Patatet e ëmbla. Një filxhan me patate të ëmbla përmban 65 miligramë kalcium. Patatet e ëmbla janë burim i pasur me potas si edhe vitaminëA dhe C.
Fiqtë. Nëse ha tre fiq ke përfituar 50 miligramë kalcium. Mënyrat e të shijuarit të fikut janë të panumërta: të kombinohen me drithëra, në sallata, ëmbëlsira apo thjesht si frut. Fiqtë e thatë mund të ruhen deri në dy vjet.
Salmoni. Nëse konsumoni 100 gramë salmon keni përfituar 180 miligramë kalcium. Nëse salmoni është së bashku me kockat e zbutura që janë të ngrënshme niveli i kalciumit është akoma më i lartë.
Sardelet. 100 gramë sardele është e barasvlershme me 888 miligramë kalcium. Sardelet, ashtu si edhe salmoni janë të pasur me yndyra të shëndetshme dhe Omega 3.
Farat e susamit. Një lugë me fara susami përmban 100 miligramë kalcium. Këto fara i japin gatimeve shumë shije dhe vlera ushqimore.