Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë “se gjithçka që ka thënë presidenti Aleksandar Vuçiq për armatosjen e Kosovës, shkeljen e Rezolutës 1244 dhe Marrëveshjes Ushtarake Teknike të Kumanovës, janë fakte të pakundërshtueshme dhe të pamohueshme, të cilat Albin Kurti duhet t’i mësojë nga A deri në ZH”.
“Më vjen mirë që Kurti e ndoqi me kujdes fjalimin e presidentit Vuçiq, sepse ai mund të mësojë shumë dhe nuk ka nevojë të tregohet i zhgënjyer për të vërtetën që Vuçiq ia ka paraqitur atij dhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare. E qartë se ata që janë popullarizuar me gjuajtjen e gazit lotsjellës nuk mund ta kuptojnë politikën e përgjegjësisë, të paqës dhe stabilitetit, për të cilën angazhohet Beogradi zyrtar, e as që ata që nuk respektojnë vendimet e instancave të tyre ligjore për kthimin e tokës Manastirit të Deçanit, nuk kanë të drejtë të thirren në të njëjtat institucione kur bëhet fjala për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, deklaroi Petkoviq.
Me një qëndrim të tillë, shtoi ai, “Kurti nuk ka as kredibilitetin më të vogël për të folur për ndonjë reciprocitet në dialog dhe marrëveshje me Beogradin, sepse njoftime të tilla nuk janë gjë tjetër veçse një kërcënim i paralajmëruar që më parë, i cili nuk ka të bëjë me respektimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani”.
Siç theksohet më tej, nëse Kurti do të ishte realisht i përkushtuar për paqen, mbi të gjitha do t’i përmbushte obligimet e marra.
“Nëse ai do të ishte vërtet i përkushtuar për ndërtimin e paqes dhe bashkëjetesës së qëndrueshme në Kosovë dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor, Kurti do të mundësonte formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe kështu do të kontribuonte në stabilizimin e situatës në terren dhe do të tregonte respekt për të drejtat e popullit serb. Në vend të kësaj, ai po dërgon njësitë ROSU në komunitetet serbe, duke vazhduar kështu të shprehë synimet dhe idetë e tij të rrezikshme dhe militante, duke përfshirë formimin e të ashtuquajturës “Shqipëri të Madhe””, thuhet në deklaratë.
Petkoviq theksoi se Serbia do të vazhdojë të kujdeset për serbët në Kosovë.
“Si palë përgjegjëse, Beogradi do të ruajë paqen dhe stabilitetin, duke u kujdesur në mënyrë të veçantë për serbët në Kosovë, të cilët kanë vuajtur çdo ditë nga dhuna institucionale dhe terrori i Prishtinës që nga ardhja e Kurtit në pushtet”, ka përfunduar Petkoviq.