Ura “Çanakkale 1915” e cila cilësohet si “Gjerdani i Ngushticës së Çanakkalasë” përurohet sot, 18 mars nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan në 107-vjetorin e Fitores Detare të Çanakkalasë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në ndërtimin e urës “Çanakkale 1915” e cila për herë të parë në Ngushticën e Çanakkalasë (Dardaneleve) lidh me njëra-tjetrën kontinentet e Azisë me Evropën, krahas punonjësve të Drejtorisë së përgjithshme të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës kanë punuar rreth 5.100 punonjës dhe 740 makineri pune.
Bëhet e ditur se janë bërë përgatitjet për hapjen e urës dhe lidhjen e autostradës e cila është një nga projektet më prestigjioze në Turqi që do të lidh Stambollin me Çanakkalanë dhe më pas me Egjeun e veriut. Në kuadër të punimeve të peizazhit janë bërë rregullime mjedisore ku janë mbjellë 516.863 fidanë si dhe janë kontrolluar barrierat dhe pikat e lidhjeve mbi urë dhe janë eliminuar mangësitë.
Ndërkohë vazhdon montimi i figurave të 4 predhave të topave ku secila prej tyre peshon 75 tonë dhe ka një lartësi prej 20.5 metra, të cilat simbolizojnë predhën e topit që mbajti mbi shpinë Seyit Onbaşı një nga heronjtë e Luftës së Çanakkalasë.
Inaugurimi i urës “Çanakkale 1915” do të bëhet nesër nga presidenti Erdoğan pas ceremonive të 107-vjetorit të Fitores Detare të Çanakkalasë dhe 18 marsit – Ditës së përkujtimit të dëshmorëve që do të mbahen në Gadishullin Gallipoli.
– Ura me hapësirën e mesme më të gjatë në botë
Ura “Çanakkale 1915”, me një gjatësi prej 4.608 metrash dhe me “hapësirën e mesme më të gjatë botë” njihet si “ura e simboleve” edhe për shkak të veçorive të saj dhe detajeve inxhinierike. Me urën në fjalë, udhëtimi ndërmjet dy kontinenteve do të ulet në 6 minuta.
Me autostradën Malkara-Çanakkale dhe me urën “Çanakkale 1915”, sistemet e transportit portual, hekurudhor dhe ajror në rajonet Marmara dhe Egje do të integrohen me projektet e transportit tokësor dhe do të ofrohet mundësi që të formohet një planifikim dhe strukturim i balancuar për të cilat zhvillimi ekonomik dhe industria kanë nevojë në këto rajone.
Në kabllon kryesore të urës janë përdorur 162 mijë kilometra tel i cili mund të rrethojë 4 herë botën. Themelet ‘caisson‘ të urës, nëse përllogariten për nga sipërfaqja, ato mbulojnë madhësinë e një fushe futbolli, ndërsa me betonin prej 227 mijë metër kub të përdorur në urë mund të ndërtohet një zonë banimi me popullatë prej 25 mijë banorësh, përfshirë 5.900 shtëpi me 100 metra katrorë.
Hapësira e mesme prej 2.023 metra e urës simbolizon 100-vjetorin e themelimit të Republikës ndërsa kullat prej çeliku 318 metra simbolizojnë 18 mars 1915 kur u shënua Fitorja Detare e Çanakkalasë. Projekti në të cilin kullat me ngjyrën kuq e bardhë përfaqësojnë flamurin turk, ka titullin e urës së varur me kullat më të larta në botë, me një lartësi kulle prej 334 metrash.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka përgatitur edhe një klip për urën “Çanakkale 1915” e cila do të hapet nesër.