Dje në llogarinë time në Twitter e shkrova këtë: “Lindja e Mesme është vendburimi i paqes dhe i krizave në botë. Nga aty fillon ‘rrezatimi’ i ngjarjeve të mëdha. E këtë asnjëherë nuk kam hezituar ta argumentoj me dhjetëra fakte”, ndërsa këtu po e zgjeroj edhe pak:
Shkruan: Mustafë Bajrami
Janë mbi 100 artikuj e shkrime që i kam botuar në lidhje me Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore, Turqinë, Kafkazin dhe Azinë Qendrore. Kam shkruar edhe për Pakistanin, për Dosjen Kurde, për Iranin, për Lindjen e Largët, ndërsa Taiwanit i kam dhënë një hapësirë të posaçme në ato shkrime. Shumicën e këtyre shkrimeve i kam përpiluar në sens të mësimeve të mundshme që do të duhej të nxirrnin shqiptarët dhe Kosova nga historitë, politikat dhe përvojat e këtyre vendeve. Rreth Taiwanit tanimë dihet botërisht se jam i pari në Kosovë që kam nisur krijimin e raporteve midis dy vendeve dhe ato raporte patën shkuar deri në një pikë shumë të rëndësishme për Kosovën. Në lidhje me Taiwanin (dhe jo vetëm), janë me dhjetëra faqe të shkruara dhe dokumente që ia kam dorëzuar qeverive të kaluara, si dhe kësaj qeverie. Aty janë skicuar përpjekjet, takimet, punët, projektet dhe pritshmëritë e mëdha që do të kishte mundur t’i realizonte Kosova dhe të përfitonte shumë nga ato. Deri më sot, as të kaluarit e as të tanishmit asnjëherë nuk i kanë marrë parasysh ato që i kam thënë, që i kam shkruar e që i kam bërë në raport me Kosovën dhe vendet e lartpërmendura.
Tani këtu po e ripërsëris: Njohja e Lindjes së Mesme dhe këtyre vendeve si dhe vendosja mbi tavolinën e punës të këtyre njohurive, është e një rëndësie të madhe për Kosovën. Jo vetëm për diplomacinë, por edhe për ekonominë dhe politikën në përgjithësi.
Në arenën ndërkombëtare gjërat ndërlidhen ngushtë dhe ngushtë ndikojnë pastaj nëpër shtetet edhe më të largëta. Le më në ato të cilat gjeografikisht janë të afërta mes vete. Në mes ngjarjeve që ndodhin në botë ekziston një interaktivitet shumë i fuqishëm. Shikoni rastin e konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës. Mos harroni, humbja në terren e Rusisë, respektivisht fitorja e Turqisë karshi Rusisë në Libi, në veriun e Sirisë, në Afganistan e sidomos në Nagornji Karabag të Azerbejxhanit, ndërlidhjet ngushtë me “fitoret” e Rusisë në Krime, në Gjeorgji, në Çeçeni e së fundmi edhe në Ukrainë. Këto fitore të Rusisë në këto vende, dhe eventualisht humbjet e saj atje ku i përmenda pak më lartë, ndërlidhet ngushtë edhe me qëndrimet e Rusisë në Ballkan.
Shfrytëzoj nga rasti të them se sot e gjithmonë duhet të ndjehen të turpëruar të gjithë ata që më sulmonin e më shanin përse shkruaja dhe shkruaj për tema që, sipas tyre, nuk kanë të bëjnë fare me ne si Kosovë dhe me shqiptarizmën e rrejshme në të cilën thirreshin këta injorantë ofendues ndaj meje.
Bota funksionon sipas një “ligji” përshkues “njëjtë” për të gjitha vendet. Nëse ka shkëputje në njohjen e këtij ligji, pasojat pastaj mund të jenë të padëshirueshme. Në rastin më të lehtë, do të ishin befasuese dhe tepër vonë për tu riparuar…!