Trishtimi nuk di të ndalur në Siri. Ajo që i ka ndodhur sirianëve, është gjenocid makabër i qëllimshëm mbi këtë popull të mjerë. Çdo gjë shkatërruan në Siri; të kaluarën e saj të lavdishme, të tashmen dhe të ardhmen e këtij populli.
Shkruan: Mustafë Bajrami
E tani fëmijët e sirianëve po vdesin nga të ftohtit nëpër kampe refugjatësh. (Dhe jo vetëm brenda Sirisë).
Janë të trishtueshme pamjet që vijnë nga andej të fëmijëve të ngrirë rrugicave të kampeve. Janë të papërballueshme për tu parë me sy. Prindërit po i varrosin fëmijët e tyre të ngrirë.
Përveç Turqisë e në Turqi, me refugjatët sirianë askush nuk po merret. Ata janë lënë të vdesin dalëngadalë si të ishin minj eksperimental laboratoresh. E si të hedhi këtu në këtë mur ato imazhe kaq të trishtueshme të kuformave të fëmijëve të ngrirë rrugëve!
Me vdekjen e këtyre fëmijëve në Siri, ka vdekur ngjërgjegja njerëzore. Është e pamundur të përshkruhet gjendja e atjeshme.
Tani po i përgjigjem miqve që më pyesin pse nuk shkruaj më për Sirinë! Çka të shkruaj për këtë vend e për këtë popull që ka mbetur ballë për ballë me vdekjen?! Çka të shkruaj më shumë, kur edhe pas një dekadë që përcjelli e shkruaj për tragjedinë siriane, s’munda të gjejë as dy fjali optimiste për këtë vend e për këtë popull.
Përveç fjalëve trishtim, tmerr, dhunë, tradhti, vrasje, kriminalitet e shtazëri të të ashtuquajturve njerëz që shkuan atje nga jashtë dhe shkatërruan Sirinë. Që vranë sirianët pamëshirshëm. Çka të them për këta si-njerëz e për shtetet që krenohen se cila prej tyre shiti armë më shumë? Se cilët kontribuuan më shumë për shkatërrimin e Sirisë.
Mjerë ky popull!
Mjerë prindërit sirianë që po u vdesin fëmijët e tyre para duarve! Nga të ftohtit të ngrirë rrugicave të kampeve siriane të trishtueshme.
O Zot i Madhërishëm!
Ndihmo sirianët dhe jepu sabër këtyre prindërve që po u vdesin fëmijët nga të ftohtit…!