Turqia është pjesë e pandashme e Ballkanit. Edhe Ballkani është gjithashtu një sferë e pazëvendësueshme e interesit për Turqinë. Historia dhe kultura e përbashkët formësojnë pikëpamjen e Turqisë për Ballkanin.
Shkruan: Recep Tayyip Erdogan
Në veçanti gjatë njëzet viteve të fundit, Turqia po bën të pamundurën për të zhvilluar marrëdhënie më të ngushta dhe miqësore me vendet e Ballkanit. Ndërkaq, Shqipëria është në qendër të kësaj pikëpamjeje. Turqia e konsideron Shqipërinë edhe si mike, edhe si aleate të natyrshme. Ajo beson se rritja e mirëqenies dhe stabiliteti në Shqipëri do t’i shërbejnë paqes dhe qetësisë në gjithë rajonin. Në këtë drejtim, Turqia ka mbështetur gjithmonë zhvillimin dhe sigurinë e Shqipërisë mike dhe vëllazërore me ndjenjat më të thella dhe më të sinqerta dhe është e vendosur ta vazhdojë mbështetjen e saj.
Si rezultat i këtij vullneti, Shqipëria është bërë një nga vendet me të cilat Turqia ka marrëdhëniet më të qëndrueshme dhe pozitive në Ballkan. Në kuadër të parimit të “dialogut politik të nivelit të lartë” të politikës së jashtme turke, marrëdhëniet me Shqipërinë po diversifikohen dhe thellohen çdo vit.
Bashkëpunimi në fushat ekonomike, sociale dhe kulturore po rritet në çdo vit. Marrëveshjet e nënshkruara gjatë vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Turqi, më 6 janar 2021, kanë qenë një pikënisje e re dhe historike. Si rezultat i kësaj vizite, midis Turqisë dhe Shqipërisë u nënshkrua Deklarata e Përbashkët Politike për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë, i cili ishte në rendin e ditës prej vitesh, dhe marrëdhëniet mes dy vendeve u ngritën në nivel të partneritetit strategjik.
Krahas këtij zhvillimi, u nënshkrua një protokoll për restaurimin e Xhamisë së Plumbit, një nga veprat monumente të periudhës osmane në Shkodër, nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve, dhe një marrëveshje bashkëpunimi mes ministrave të Arsimit të dy vendeve. Marrëveshja në fushën e arsimit ofron mundësinë e mësimit të gjuhës turke në Shqipëri si lëndë me zgjedhje dhe të gjuhës shqipe në Turqi, si dhe përfshin programe të arsimit special, teknologjive arsimore, bursave dhe shkëmbimit të mësimdhënësve. Ne i konsiderojmë këto zhvillime si një mundësi e madhe për të forcuar si marrëdhëniet kulturore, ashtu edhe ato politike dhe tregtare mes dy vendeve.
Madje, edhe kur ekonomitë e botës po kalojnë në një periudhë shumë të vështirë duke luftuar me pandeminë, tregtia e jashtme e Turqisë me 11 vende të Ballkanit në vitin 2021 u rrit me 37 për qind krahasuar me një vit më parë. Ne presim që marrëdhëniet tregtare të rriten në mënyrë eksponenciale në periudhën e ardhshme.
Aktualisht, vëllimi i tregtisë dypalëshe midis Turqisë dhe Shqipërisë është rreth 761 milionë dollarë. Qëllimi ynë parësor është ta rrisim këtë vëllim në rreth një miliard dollarë sa më shpejt të jetë e mundur.
Investimet e Turqisë në Shqipëri arrijnë vlerën 3,5 miliardë dollarë, duke përfshirë shërbimet e sipërmarrjes. Në zhvillimin e marrëdhënieve tregtare dhe arritjen e këtyre shifrave, kontribut të madh ka Marrëveshja e Tregtisë së Lirë, e cila është në fuqi që nga viti 2008. Në Shqipëri operojnë rreth 600 kompani turke të regjistruara dhe këto kompani jo vetëm që kontribuojnë në prodhim, por ofrojnë edhe vende pune ku janë të punësuar rreth 15 mijë persona. Me këto shifra, Turqia është një nga investitorët e huaj më të mëdhenj në Shqipëri.
Marrëdhëniet mes vendeve tona, përtej tregtisë, spikasin me dimensionin e tyre humanitar. Me ardhjen e pandemisë, diplomacia shëndetësore dhe investimet në shëndetësi i dhanë një shtysë të re marrëdhënieve mes dy vendeve. Sado që aktivitetet e ndërsjella tregtare dhe turistike në mbarë botën u ndikuan negativisht për shkak të virusit COVID-19 vitin e kaluar, Turqia ofroi ndihmë me pajisje mjekësore dhe vaksina në 157 vende në mbarë botën. Në këtë kuadër, “Spitali i Miqësisë Turqi-Shqipëri në Fier”, i cili u ndërtua në Shqipëri me një kosto prej 70 milionë eurosh, me 150 shtretër, gjashtë salla operimi dhe gjashtë poliklinika, përfundoi brenda 68 ditësh për t’u hapur më 21 prill 2021.
Turqia ishte një nga vendet e para që i zgjati dorën e ndihmës Shqipërisë vëllazërore në fatkeqësinë e tërmetit të 26 nëntorit 2019 me magnitudë 6,4 ballë, i cili shkaktoi vdekjen e më shumë se 50 personave, plagosjen e më shumë se 3.000 personave dhe dëmtimin e infrastrukturës së 11 bashkive. Ekipet e kërkim-shpëtimit u dërguan me shpejtësi për shpëtimin e qytetarëve shqiptarë nga rrënojat. Më shumë se 500 banesa u ndërtuan nga Autoriteti Shtetëror i Administrimit te Banesave Sociale (TOKI) për familjet e viktimave në Laç të Shqipërisë, për të shëruar qoftë edhe në një masë të vogël plagët e tërmetit. Banesat e ndërtuara do të dorëzohen më 17 janar 2022.
Shumë institucione zyrtare të Turqisë vazhdojnë aktivitetet e tyre në Shqipëri për të forcuar lidhjet tona kulturore dhe historike.
TIKA ka realizuar 546 projekte dhe aktivitete në Shqipëri që nga viti 1996. Në radhë të parë, ajo mbështet restaurimin e shumë monumenteve historike në Shqipëri. Gjithashtu, ofron mbështetje financiare për përmirësimin e bujqësisë, blegtorisë, shëndetësisë, arsimit dhe shërbimeve bashkiake, gjë që do të kontribuojë në bashkëpunimin midis Turqisë dhe Shqipërisë.
Kryesia e Turqve jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB) ofron bursa për studentët nga Ballkani për të studiuar në Turqi, nën markën “Turkiye Burslari” (Bursat e Turqisë). Programi i Bursave të Turqisë pranoi 165.511 aplikime nga 178 vende në vitin 2021. Sot në Turqi studiojnë 15.000 studentë nga 170 vende. Studentët shqiptarë përfitojnë në masë të madhe nga këto bursa dhe vazhdojnë aktivitetet e tyre arsimore në Turqi.
Instituti “Yunus Emre” hapi zyrën e tij të parë në Sarajevë dhe u përhap shpejt në gjithë Ballkanin. Instituti ka dy zyra në Shqipëri, në Shkodër dhe Tiranë. Vëllezërit tanë shqiptarë që duan të mësojnë turqishten dhe duan të njohin më mirë kulturën dhe artin turk, mund të gjejnë të gjitha llojet e mbështetjes në këto zyra.
Turqia e sheh si detyrë të kontribuojë në shërbimet arsimore në Shqipëri. Fondacioni Maarif i Turqisë, i cili ka 416 institucione arsimore dhe mbi 50 mijë nxënës dhe studentë në mbarë botën, ka 8 tetë shkolla në Shqipëri. Urojmë që në të ardhmen të rrisim edhe më shumë numrin e shkollave. Krahas të gjithë këtyre dimensioneve tregtare dhe humanitare, Turqia dhe Shqipëria shfaqin një shembull të rëndësishëm bashkëpunimi në fushën e sigurisë. Shqipëria është blerësi i parë i një sistemi anti-dron të prodhuar nga një kompani turke dhe Kuvendi i Shqipërisë së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes kanë njoftuar miratimin e një buxheti shtesë prej 9,7 milionë dollarësh (8,2 milionë euro) për furnizimin me dronë (UAV) dhe dronë luftarakë (UCAV).
Kontaktet mes dy vendeve janë shtuar edhe për çështjet e sigurisë, si terrorizmi dhe trafiku i qenieve njerëzore dhe drogës. Gjithashtu, bashkëpunim kryhet kur është e nevojshme me forcat përkatëse të policisë dhe ministritë e Brendshme edhe në luftën kundër krimeve kibernetike dhe digjitale.
Në marrëdhëniet dypalëshe, Turqia vazhdimisht thekson këmbënguljen e saj për luftën e përbashkët kundër organizatës terroriste FETO, e cila ende ruan ekzistencën e saj në Shqipëri. Po zhvillohen konsultime me autoritetet përkatëse shqiptare për të kufizuar veprimtarinë e kësaj organizate terroriste në Shqipëri dhe për t’i dorëzuar anëtarët e organizatës në Turqi. Fakti që një organizatë e tillë tradhtare, e cila tentoi një grusht shteti në Turqi, vepron në Shqipëri, e shqetëson popullin turk dhe i bën ata të mendojnë për mundësinë e përfshirjes në veprime të ngjashme edhe në Shqipëri.
Duke marrë parasysh të gjitha këto, mund të them se marrëdhëniet miqësore mes Turqisë dhe Shqipërisë janë në periudhën e tyre më produktive në fushën politike, ekonomike dhe sociale. Duke qenë se Turqia është partneri strategjik më i rëndësishëm i Shqipërisë në rajon dhe më gjerë, ka shumë mundësi për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Turqia dhe Shqipëria duhet të rrisin bashkëpunimin e tyre në fusha të ndryshme si turizmi, arsimi, mbrojtja, digjitalizimi, ushqimi, bujqësia, blegtoria, pylltaria, uji dhe peshkimi.
Përveç marrëdhënieve të saj efektive me Shqipërinë, Turqia i kushton rëndësi pranisë së Shqipërisë në NATO dhe gjithashtu mbështet procesin e anëtarësimit në BE, i cili ka ngecur vitet e fundit, dhe merr përsipër rolin e të qenit një nga miqtë më të ngushtë të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Shpresoj që Turqia dhe Shqipëria të mund të udhëtojnë bashkë drejt ditëve edhe më të mira, ku mbi bazën e parimit “fito-fito”, brezave të ardhshme do t’ua përçojnë lidhjen e miqësisë dhe partneritetit.
* Autori i këtij artikulli është Presidenti i Republikës së Turqisë