Në kujtim të Betejës së Çanakalasë!
Historia e njerëzimit nuk njeh shumë beteja në të cilat marrin pjesë të gjitha fuqitë ushtarake të kohës. Me qindra mijëra ushtarë për një hapësirë të caktuar e në një kohë të caktuar gjithashtu.
Beteja e Çanakalasë ruajti botën nga ndonjë rikonfigurim famëkeq i mundshëm. Fitorja në te ka ruajtur Turqinë dhe Evropën nga më e keqja që po i priste.
Beteja e Çanakalasë edhe për shqiptarët është shumë e rëndësishme. Humbja eventuale e ushtrisë osmane e ndihmuar nga Gjermania dhe aleatët e saj, do t’i jepte shans ushtrisë ruse të kalonte nëpër Dardanele dhe të pozicionohej në Stamboll e në Ballkan gjithandej. Austro-Hungaria s’do të kishte fuqi më t’i ndihmonte shqiptarët. Trojet tona do të pushtoheshin nga rusët, ndërsa Gjermania nuk do të ishte më kjo Gjermani. As Evropa nuk do të ishte kjo Evropë që është sot.
Mahnitem me vizionin dhe gatishmërinë shqiptare për të marrë pjesë në atë betejë. Ata luftuan krah për krah gjermanëve dhe kombeve që përbënin ushtrinë osmane. Mbi 20 mijë shqiptarë dhanë jetën duke mbrojtur Stambollin e nga andej trojet shqiptare nga pushtimi rus.
Sa keq na kishin mësuar historinë mbi Betejën e Çanakalasë. Serbët dhe rusët ishin ata që shtrembëruan të vërtetën e saj. Historianët tanë ranë nën ndikimin e mësimeve ruso-serbe dhe na prezantuan Betejën e Madhërishme në formën më të shëmtuar të mundshme. Çfarë fati i zi për neve shqiptarët!
Beteja e Çanakalasë, pa pikë dyshimi është ndër betejat më të mëdha që kanë ndodhur në histori. Ajo betejë, në fakt është vetë historia. Shqiptarët janë pjesëmarrës dhe krijues të asaj historie…!