Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan tha se klima e pajtimit kombëtar, të cilin e vuri në pah poeti Mehmet Akif Ersoj në himnin kombëtar, sot është e nevojshme për Turqinë më shumë se kurrë për ti eliminuar të gjitha kërcënimet.
Presidenti Erdogan publikoi një mesazh me rastin e 85-vjetorit të ndarjes nga jeta të poetit kombëtar Mehmet Akif Ersoj.
“Mehmet Akif Ersoj, një personalitet i shquar i Luftës Çlirimtare, shkrimtari i Himnit Kombëtar, njëri prej hallkave të zinxhirit të diturisë, traditës së urtësisë, me veprat e tij, poezitë, me vendosmëri të madhe vazhdon të ndriçoj dhe të na orienton edhe në ditët e sotme”, tha Presidenti Erdogan ndërsa shtoi se epet heroike të Mehmet Akifit të shkruara për Çanakalanë dhe Luftën Çlirimtare janë shprehjet më të bukura të vendosmërisë, besimit, frymës së përbashkët të popullit në lidhje me lirinë dhe pavarësinë.
“Është detyrë e jonë për ti dalë për zot vlerave tona kombëtare dhe shpirtërore, për ti kuptuar dhe përcjell mirë tek gjeneratat e reja veprat e Mehmet Akif Ersoj, i cili në mënyrë më të bukur e përshkroi elementet themelore të unitetit dhe solidaritetit kombëtar, të pasionit të popullit tonë për pavarësi, dashurinë e tij ndaj atdheut dhe flamurit. Kërkoj mëshirë prej Allahut për Mehmet Akif Ersojin në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta dhe e përkujtojmë me respekt”, shkruan Presidenti Erdoan në mesazhin e tij.
Edhe Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë, Mustafa Shentop publikoi një mesazh në 85 vjetorin e ndarjes nga jeta të poetit kombëtar Mehmet Akif Ersoj.
Kryeparlamentari në mesazhin e tij shkruan se “Mehmet Akif Ersoj ka qenë një person, i cili besonte se çlirimi i botës islame kalon nga çlirimi i Anadollit dhe ka qenë një mendimtar dhe një besimtar i kauzës”.
“Duke e filluar himnin kombëtar me fjalën ‘Mos u frikëso’ (Korkma) ai ka qenë një atdhedashës, i cili mbolli ndjenjën e dashurisë për atdhe tek populli”, shkruan Kahraman duke përfunduar me fjalët “Emri dhe veprat e Akifit do të mbijetojnë deri sa ekziston edhe kombi ynë”.
Në përvjetorin e 85-të të ndarjes së tij nga jeta poeti i himnit kombëtar Mehmet Akif Ersoj sot përkujtohet me aktivitete të ndryshme në mbarë vendin.
Krahas himnit kombëtar, në mesin e veprave të shquara të Ersojit radhiten edhe “Epopeja e Çanakalas”, “Bilbili” dhe “Safahat” (Fletushkat).
Poeti me origjinë shqiptare Mehmet Akif Ersoj ndërroi jetë më 27 dhjetor 1936.