Kemi hyrë në një periudhë në Lindjen e Mesme ku tensionet mes shteteve janë në rënie dhe relativisht të qeta. Vizita e Princit të Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) Mohammed Bin Zayed në Turqi dhe takimi me Presidentin Erdogan ishte një nga manifestimet më të rëndësishme të këtij procesi.
Shkruan: Can Acun
Bisedimet po zhvillohen gjithashtu midis Turqisë, Arabisë Saudite dhe Egjiptit. Po kështu, Emiratet e Bashkuara Arabe po përpiqen të zhvillojnë një proces të ngjashëm edhe me Iranin. Por shtrohet pyetja se a do të ketë sukses kjo përpjekje për normalizim?
Fakti që Princi i Kurorës i Emirateve të Bashkuara Arabe Mohammed Bin Zayed vizitoi Ankaranë dhe u takua me Presidentin Erdogan, gjatë të cilit nënshkroi disa marrëveshje dhe madje njoftoi 10 miliardë dollarë investime, ishte një tregues i rëndësishëm në kërkimin e “ekuilibrit” të ri në Lindjen e Mesme. Në muajt e fundit, pothuajse të gjithë aktorët rajonalë kanë kërkuar dialog dhe pajtim në vend të konfliktit. Emiratet e Bashkuara Arabe janë duke bërë kërkim të ngjashëm jo vetëm me Turqinë, por edhe me Iranin. Gjithashtu edhe Turqia po përpiqet të normalizojë marrëdhëniet e saj me Arabinë Saudite, Egjiptin dhe Izraelin.
Pra, krejt papritur, çfarë ndodhi në atë zonë që aktorët dolën vullnetarë për të ndryshuar pozicione?
Për të shpjeguar këtë situatë, dalin në pah disa faktorë. E para është politika e SHBA-së në rajon gjatë udhëheqjes së Bidenit. Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite nuk marrin më mbështetjen e pakushtëzuar të SHBA-së. Në fakt, ngjarjet e jetuara në Afganistan dhe imazhi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të tërheqjes hapë pas hapi të trupave nga Lindja e Mesme duket se i kanë shqetësuar seriozisht këto vende. Prandaj, këto vende u detyruan të rishikojnë qëndrimet e tyre të ashpra ndaj vendeve si Turqia dhe Irani. E dyta është se lëvizjet popullore si Pranvera Arabe kanë humbur qetësinë e dikurshme. Liderët e shteteve të Gjirit dhe vendeve si Egjipti nuk ndiejnë kërcënim për mbijetesë në këtë kohë. Prandaj, ata nuk e vlerësojnë Turqinë, të cilën e shohin si mbrojtëse e këtyre lëvizjeve popullore, si një kërcënim serioz si më parë. Së treti, është kuptuar se asnjë vend nuk mund të mbizotërojë në konfliktet rajonale dhe në luftërat me prokurë dhe u kuptua se është hyrë në një spirale serioze humbje-humbje. Gjithashtu kostoja për këtë luftë po rritet dita-ditës nga aspekti ekonomik.
Të gjithë këta faktorë duket se i kanë shtyrë vendet e rajonit të kërkojnë një normalizim konjuktural. Megjithatë, është ende herët për të folur për një normalizim afatgjatë në Lindjen e Mesme. Shumë zona konflikti mbeten të pranishme, nga Siria dhe Jemeni e deri në Libi. Ndërsa natyra pragmatike e vendeve të rajonit, dobësia e strukturave institucionale, ndryshimet e mundshme globale, veçanërisht mundësia e ndryshimit të mënyrës së lëvizjes së Shteteve të Bashkuara, vazhdojnë të krijojnë pasiguri.