Për investimin 2 miliard dollarë të Portit të Durrësit nga Mohamed Alabbar themelues dhe pronar i kompanisë EMAAR, është folur në median prestigjioze CNN.
Mohamed Alabbar në intervistën për CNN teksa e quan Shqipërinë “Europa e re” thotë se të gjithë indikatorët që të investojë në Shqipëri janë pozitivë. Ai thotë se aty ka parë qeverinë e cila punon ditë e natë që të jetë pjesë e BE.
“Europa e re më tërheq shumë mua. Kur shikoj Shqipërinë dhe shoh çfarë po ndodh me qeverinë dhe sa e vështirë është që të lëvizë përpara, doja që të isha atje. Sepse të gjithë indikatorët janë pozitivë. Të gjithë këto qytete kanë një rritje ekonomike fantastike, qeveria punon ditë e natë që të jetë pjesë e Evropës së vërtetë”, shprehet ai.
Në lidhje me investimin madhor në Portin e Durrësit ai tha se do të përfshihen hotele, dyqane, port turistik dhe shumë aktivitete të tjera.
“Besoj se këto investime madhore mund të jenë të suksesshme kudo në botë, nëse i bën me dëshirë me partnerët e duhur. Ne do të krijojmë portin më të madh në detin Adriatik. Me qindra apartamente dhe dyqane dhe qendra tregtare. Ky investim për mua është një ëndërr që kam dhe po e bëj realitet”, u shpreh Alabbar për CNN.
I pyetur lidhur me reputacioni negativ që ka vendi jonë për trafik droge, korrupsion, ai tha se këto i përkasin të shkuarës dhe se Shqipëria ka bërë hapa para për forcimin e demokracisë dhe përthithjen e investimeve të huaja. Këtu, shtoi se ai nuk do që thjesht të ndihmojë në rindërtimin por edhe ta fusë vendin tonë në hartën e përthithjes së investimeve të tjera të huaja.
“Fatkeqësisht Shqipëria ka një të shkuar për shkak të qeverive në të shkuarën. Ata duhet të rriten jashtë kësaj. Të gjithë indikatorët janë shumë pozitivë për mua prandaj jam duke bërë këtë projekt dhe jam shumë krenar që jam i pari.
Rindërtimi po ndodh tani dhe shpresoj që të kontribuojmë jo vetëm në rindërtim por edhe për të futur Shqipërinë në hartë që të ftohen të tjerë investitorë”, shtoi ai.
Falë këtij investimi, Porti i Durrësit do të kthehet në një port turistik, i cili do t’i hapë rrugë ndërtimit të marinës detare të përshtatura për jahte, një terminali modern pasagjerësh dhe ndërtesave, të cilat do të kenë qëllime tregtare dhe hotelerie. Porti i ri turistik i Durrësit do të nisë shumë shpejt punimet dhe për 6 vite do të ketë përfunduar duke u kthyer në zemrën e turizmit shqiptar dhe një forcë e madhe për ekonominë shqiptare. Porti tregtar do të zhvendoset në zonën e Porto Romanos, duke i dhënë kështu fund problemeve me ndotjen që ka patur deri më sot qyteti i Durrësit.