Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pasuria e paligjshme në Kosovë është bërë përmes kontratave të korruptuara, duke shtuar se ka pasur favorizime të bizneseve të lidhura me zyrtarët politik.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Kurti tha se Kosova e ka pjesën e saj të historisë me korrupsionin.
“Kosova e ka pjesën e vet të historisë me korrupsion, nga ku zyrtarë të shumtë e biznesmen të lidhur me ta, kanë vjel taksat e qytetarëve duke krijuar pasuri marramendëse të cilën nuk e justifikojnë dot”, theksoi kryeministri Kurti gjatë këtij eventi.
Sipas Kurtit, pasuria e pajustifikueshme ka ardhur nga kontratat e marra me korrupsion, të bizneseve që kanë pasur lidhje me politikanë.
“Kemi pasurim të paligjshëm sepse burimi kryesor i pasurimit të paligjshëm është përmes kontratave të korruptuara dhe favorizim i bizneseve të lidhura me zyrtarë e pushtetarë të caktuar, ku kemi pasur biznese të oborrit qeveritar”, u shpreh Kurti.
Ndërkaq, i ngarkuari me Punë i SHBA-së, Nicholas Giacobbe, ka thënë se ndihma për luftën kundër korrupsionit është prioritet për SHBA-të.
Për këtë, ai ka kërkuar nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës ta luftojnë këtë dukuri që i bënë qytetarët të vuajnë, largon investimet dhe ndikon në arsim.
Ai tha se korrupsioni nuk është hiq më pak se kërcënim i sigurisë kombëtare.
“Po citoj Presidenti Biden, i cili ka thënë që korrupsioni është rrezik për sigurinë kombëtare për të gjithë vendin. Institucionet e gjykatave nuk duhet t’u shërbejnë individëve, por interesit shoqëror. Qytetarët kanë mjete të forta për ta luftuar korrupsionin, ata duhet të jenë aktiv për ta bërë një gjë të tillë”, tha ai.
Kryeministri Albin Kurti tha me këtë raste se burim i korrupsionit janë bizneset e lidhura me njerëz të politikës.
Derisa u zotua se në qeverisjen e tij toleranca për korrupsion është zero.
Kurti tha se Kosova e ka pjesën vetë të saj me korrupsion ku shumë biznesmenë bashkë me politikanë kanë vjelë taksat e qytetarëve dhe pasuria e tyre nuk justifikohet.
Për të shënuar këtë Ditë Kundër Korrupsionit, në këtë ngjarje “Transformimi i Prokurimit Publik” me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit”, po diskutohet në panel: Arritjet dhe sfidat në prokurimin publik.