Pandemia ka shkaktuar një krizë globale si rrallë herë më parë. Që në ditët e para të saj, njohës të historisë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare paralajmëruan se bota kurrë më nuk do të jetë siç ka qenë më parë. Patën thënë gjithashtu se pandemia e koronavirusit, përveç se do të diktojë mënyrën e jetesës, ajo do ta ndryshojë edhe mënyrën e të menduarit. Dhe, ashtu doli. Bile përtej parashikimeve.
Shkruan: Dr. Mustafë Bajrami
Pandemia goditi edhe ekonomitë më të fuqishme të botës. U ngritën çmimet e naftës dhe të burimeve tjera të energjisë. Për rrjedhojë, u ngritën kostot e prodhimit, të transportit si dhe çmimet e konsumit të përgjithshëm. Pandemia preku çdo cep të botës. Vendet e BE-së, SHBA-ja, Kanadaja, Australia, Kina, Rusia e Brazili pësuan tronditje serioze në ekonomitë e tyre. As Turqia nuk i shpëtoi kësaj furtune. Folur me gjuhën e politikës, pandemia prishi baraspeshat gjeostrategjike dhe kostelacionet diplomatike të botës. Ngritja e çmimeve deri në 100% nëpër disa vende të fuqishme, e në shumë të tjera deri në tre fish, pa dyshim se shkaktoi kaosin më të madh në botë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Kështu, shtete të tëra u vunë para sprovave të papara në histori. Të ballafaquara me të papritura të përditshme, shumë shtete humbën busullën e udhëheqjes dhe pësuan humbje të mëdha ekonomike. Në këtë katrahurl globale, përfituese të vetme po dalin të jenë vetëm korporatat e barnave që janë në duart e kapitalistëve oligarkë, e të cilët nuk njohin gjë tjetër pos përfitimet e tyre. Në të ardhmen priten kriza edhe më të mëdha. Bota po rrezikohet nga dora e njeriut.
****
Thuajse në të gjitha vendet, Bankat Qendrore operojnë të pavarura nga politikat ditore të qeverive. Ato zhvillojnë aktivitetin e tyre në bazë të dinamikave që ua imponojnë ekonomitë e tregut (oferta-kërkesa). Pra, sa do që politika ka aftësinë të depërtojë në të gjitha poret e jetës dhe ndikon fuqishëm në to, ekonomia ka gjuhën dhe ligjet e veta. Ajo flet me shifra që shumë herë janë kokëforta. Po si faktet. Megjithatë, edhe pse ekonomia ka mënyrën e vetë të operimit dhe vepron sipas konditave të kohës dhe hapësirës, jo gjithherë e gjithkund ndodhë kështu. Në vende autokrate politikat qeveritare shpesh ndërhyjnë në punët e bankave dhe përpiqen tu ofrojnë “zgjidhje” sipas nevojës të politikave ditore dhe të strategjive afatshkurtra dhe afatmesme. E tillë për momentin është edhe Turqia.
Edhe pse Turqia është vend me industri të zhvilluar dhe pretendon me insistim të jetë ndër 10 vendet më të zhvilluara të globit, ajo edhe më tutje mbështet shumë në importe. Turqia importon produktin kryesor që përdoret në industri. Fjala është për naftën. Megjithëqë Turqia ka zbuluar burime të mëdha të gazit natyror dhe po bëhet fuqi botërore në energji si dhe ka përparuar shumë në hidro-energjetikë, industria e saj varet shumë nga importi i naftës. Pa naftën të cilën e blenë sidomos nga vendet e Lindjes së Mesme, ajo vështirë do ta përballonte konkurrencën kaq të egër që sot zhvillohet në botë. Domethënë, edhe pse Turqia si shtet industrial eksporton më shumë se sa importon, ajo megjithatë konsiderohet vend importues.
Krahasuar me disa vende të fuqishme ekonomike, Turqia ka arrit t’i përballojë krizës globale të tanishme. Ka shumë shtete në botë që janë vënë në pozita shumë më të rënda se sa Turqia. Qeveria turke ka menaxhuar pandeminë në masë të madhe, ndërsa përgjatë kohës së saj, ajo ka rritë prodhimin më tepër se shumë shtete që njihen me ekonomi të forta. Raportet e Bankës Botërore si dhe raporta tjera në lidhje me ekonomitë e vendeve flasin me shifra inkurajuese për Turqinë. Megjithëkëtë, ekonomia turke nuk ka mund ta ruaj stabilitetin që e kishte në dy dekadat e fundit. Ajo po ballafaqohet me një seri tundjesh të cilat i mbanë nën kontroll falë shtimit të eksportit që ka arritur mbi 200 miliardë dollarë.
****
Kriza e lirës turke gjenezën e ka në muajt e parë të pandemisë. Deri në atë kohë, Turqia pretendote të futet në shjetëshen e parë të shteteve industriale. Presionet nga jashtë që asnjëherë si ndalen si dhe dinamikat e brendshme ekonomike, detyrimisht imponuan nevojën e lëvizjes së kursit të lirës turke. Në një garë kaq të ashpër me vendet industriale që kanë një teknologji të avancuar, është sukses në vete për Turqinë që arriti të qëndrojë në atë garë. Kështu, përderisa shteti nuk lejonte ngritjen e kamatave sepse në këtë mënyrë politika do të humbte në imazh para qytetarëve, Banka Qendrore që vepronte brenda rrethanave ekonomike të vendit, detyrohej të lëvizte kursin e valutës krahas rrethanave të kohës. Në këtë betejë të ashpër midis imponimeve politike dhe kushteve e rrethanave ekonomike, presidenti Erdogan urdhëron Bankën Qendore t’i ulë kamatat. Për më tepër, Erdogan obligon bankat të subvencionojnë kompanitë e mesme dhe të vogla si dhe të shtyejnë pagesën e borxheve të kompanive dhe qytetarëve. Beteja midis këtyre dy poleve vazhdimisht ashpërsohej. Qeveria turke filloi të subvencionojë sidomos industrinë e naftës në mënyrë që ta mbante inflacionin në parametrat ekzistues. Sepse ngritja e çmimit të naftës do ta rriste inflacionin dhe do të shkaktonte pakënaqësi në masat e gjera popullore. Megjithëkëtë, Banka Qendrore jo që i zbriti kamatat, por i ngriti ato. Njëjtë kështu i shtrenjtoi edhe shërbimet bankare. Si përgjigje ndaj këtij veprimi “kryeneq” të bankes , në mars të këtij viti Erdogan shkarkon guvernatorin e Bankës Qendrore. Dhe, për pasojë, sikur me fitil u dhezën konfliktet virtuale midis opozitës dhe pozitës si dhe u shkaktuan plasaritje serioze në politikën e vendit. Krahas kësaj, opozita dhe njerëz të fuqishëm në Turqi filluan t’i frikësonin qytetarët se dora e shtetit do të ndërhyjë edhe në segmente tjera që ndërlidheshin me ekonominë. Në lëvizje u vunë gjithashtu elementë destruktiv nga organizata të ndaluara në Turqi. Këta elementë destruktiv propagandonin se vendi po kaplohet nga një krizë ekonomike e përballueshme dhe se afaristët do të pësojnë më së shumti. Mediat opozitare filluan të shkruanin se me miliona njerëz do të largohen nga puna dhe do t’i humbin kursimet e tyre nëpër banka. Si përfundim, qytetarët ndalën investimet dhe filluan të mendojnë për kursimet e tyre.
Me shifra dihet se qytetarët e Turqisë kanë te deponuara nëpër bankat e vendit mbi 240 miliard dollarë. Përtej kësaj, llogaritet se ata kanë “nën jastëk” afër 300 miliard dollarë të tjerë. Termi “nën jastëk” në Turqi përdoret për paratë e pa evidencuara që gjenden në duart e qytetarëve. Ato para janë më tepër se një thesar që mund të përdoren në raste krizash. Nëse dy vite më parë qytetarët e Turqisë iu përgjigjën kërkesës së Erdoganit që t’i nxjerrin ato para dhe t’i lëshonin në qarkullim, në krizën e tanishme kjo gjë nuk ndodhi. Natyrisht për shkak të frikës evidente se vendi po zhytet në krizë të thellë. Ata po bëjnë llogaritë e tyre për ditë të vështira. Kështu, popullata turke edhe më tutje po i mban të mbyllura dhjetëra miliarda dollarë, sikur të tjerat të deponuara nëpër banka që nuk i vënë në shërbim të prodhimit dhe tregti të ndryshme. Është krijuar një atmosferë frike gjithandej në Turqi.
*****
Para pak ditësh presidenti turk iu drejtua kombit me një fjalim të shkurtër por shumë domethënës. “Sabir edin” ishte fjalia bazë e atij fjalimi. Ai i garantoi turqit se kriza e lirës nuk është rezultat i dobësimit të ekonomisë, por, përveç shantazheve që po i bëhen Turqisë nga jashtë, prapa gjithë kësaj po përgatiten projekte të mëdha dhe është duke u punuar për një të ardhme të madhërishme për Turqinë.
Në fakt, siç kam shkruar edhe më parë, dobësimi i lirës turke mund të jetë “lojë” e mençur e Turqisë. Sipas disa parametrave, kjo “lojë” do të reflektojë jo vetëm mbi ekonominë e vendit, por do të prekë edhe një pjesë të madhe të botës. Mund të jetë e ngjashme me ngjarjen e jenit japonez atëherë kur Japonia insistonte në zbritjen e vlerës së valutës së saj, ndërsa bota u bë bashkë për ta ndalë këtë hap të Japonisë. Në kohën kur Japonia po luante “lojën” me jenin e saj, ajo dëshironte dhe insistonte në shtimin e eksportit përtej përmasave “të lejuara” nga vendet perëndimore dhe Kina.
S’do mend se Kina sot është prodhuesja me e fuqishme në botë në shumë produkte. Ajo ka zaptuar tregjet botërore dhe po përcakton çmimet dhe dinamikat e tregtisë në botë. SHBA-të këtë nuk e dëshirojnë e as mund ta lejojnë për një kohë të gjatë. Sepse është rrezik për interesat strategjike amerikane si dhe dobëson rolin e saj në botë. Dobësimi i Kinës, pra, është interes parësor i SHBA-ve. Për tu realizuar ky dobësim, paraprakisht e paralelisht duhet t’i qitet në ballë Kinës një rival i fuqishëm i cili do të plotësonte nevojat e botës në produkte që Kina sot i prodhon. Sipas “traditës”, ky vend do të duhej të ishte më afër Evropës dhe sa më larg “tigrave aziatik”. Edhe për shkak të kosotos së transportit, edhe për shkak të kohës së arritjes së mallrave si dhe për shkak të rrezikut të sot Kina paraqet për botën perëndimore. Ky rival i Kinës domosdo do të duhej të prodhonte me kosto të lirë sepse vetëm kështu mund t’i mbërrijë çmimet që sot i ka ajo. Në këtë lojë të madhe botërore, Turqia shihet si vendi më i përgatitur për të zëvendësuar Kinën. Tek e fundit, vetë Turqia është e duke u përgatitur për tri dekada të jetë faktor në ekonominë botërore. Ajo ka derdhur mund që të rris prodhimin dhe të shtojë sa më shumë eksportin. Për tu realizuar i gjithë ky projekt, Turqisë i duhet fuqi punëtore e lirë në mënyrë që kostoja e prodhimit të jetë e ulët. Dhe, kjo është pika kyçe e “krizës” së lirës turke. Dobësimi i lirës turke është kushti themeltar i realizimit të kësaj strategji afatgjate. Turqia ka nevojë për fuqi të lirë punëtore. Sa më shumë që bie lira, aq më lirë del kostoja e prodhimit. SHBA-të dhe Evropa janë të interesuara ta ndihmojë Turqinë në këtë drejtim. Turqinë po e ndihmojnë edhe vende të pasura nga Lindja e Mesme. Sepse është interes i tyre para së gjithash. Sidomos Gjermania interesohet për një Turqi me ekonomi stabile. Sa për pagesat që i detyrohet, aq edhe për shkak të bilancit tregtar që e kanë mes vete. Dhe jo vetëm Gjermania.
*****
Fjalët “Bëni durim” të Erdoganit kanë këtë kuptim. Aq më tepër kur presidenti turk në atë fjalim u dha myzhde qytetarëve të Turqisë për një të madhe që do të ndodhë. Njëjtë kështu kishte përgëzuar popullin turk pak ditë para zbulimit të gazit nën ujërat e Detit të Zi.