Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, mbledhjes së qeverisë, në një konferencë për medie, foli për masat e reciprocitetit ndaj mallrave që vijnë nga Serbia, për çka tha se do të vendosen masa të reciprocitetit.
“Po do të vendosim masa reciprociteti dhe janë duke u vendosur veçse. Nëse e kuptoni konceptin e reciprocitetit, ai do të thotë barazi dhe këtë do ta shtyjmë përpara. Ligji për masat antidamping, për mbrojtje nga importet, të gjitha këto kanë të bëjnë me barazi e reciprocitet. Unë kam filluar me planin sa i përket parimeve të Organizatës së Tregtisë. Masat e komformitetit jemi duke i zbatuar. Ju njoftoj se çka është zbatuar nga ministria për mbrojtjen e tregut. Kemi marrë vendimet për masat antidamping për t’i mbrojtur sektorët që janë të rrezikuar nga importi dhe presim se si do të na udhëzojnë analizat që jemi duke i bërë. Ne jemi akuzuar nga ministrja e Ekonomisë së Serbisë për diskriminim, por jemi duke punuar për barazi”, tha Hajdari.
Hajdari ka folur edhe për programin “Single market”. Ajo ka thënë se informacionet për programet rajonale nuk kanë ardhë me kohë dhe nuk i kanë gjetur në ministri kur e kanë marrë drejtimin e saj.
“Kosova e ka kryer obligimin e vet kur e kemi dorëzu aplikimin, tani pritet që negocimi të përfundojë, meqë është program i përbashkët me BE-në. Anëtari i bordit të Malit të Zi më ka njoftuar se Kosova mungon dhe ne nuk kemi pas informacione për këtë. Ky program është me pjesëmarrje të 250 bizneseve së shpejti do të emërojmë përfaqësuesit e Kosovës”, ka thënë ajo.
Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Faton Peci tha se me vendim qeveritar kanë ndarë 1.7 milionë euro për t’i kompensuar dëmet financiare si pasojë e fatkeqësive natyrore.