Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjakovë, të enjten, ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ndaj ish-kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila.
Në kallëzimin penale të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, AAK-ja po pretendon se Kusari-Lila e ka keqpërdorur detyrën zyrtare në kohën sa ka qenë në krye të Komunës së Gjakovës.
Sipas kallëzimit penal, me vendimin e 25 marsit 2014, Kuvendi i Komunës së Gjakovës kishte marrë vendim për shpalljen e interesit publik për pronat private në dobi të Komunës së Gjakovës, për realizimin e projektit të rrethrrotullimit, në kryqëzimin e rrugëve “Tirana” dhe “Skënderbeu”, në parcelat e evidentuara në emër të familjes Bakija, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Tutje thuhet se, Kusari-Lila duke qenë në cilësinë e kryetares së Komunës së Gjakovës, ka arritur marrëveshje me familjen Bakija edhe pse jo në formë të shkruar, por se në bazë të dokumentacionit vërtetohet një gjë e tillë, ashtu që kompromisi është arritur për zhvendosjen e rrethrrotullimit, me ç’rast është krijuar hapësira e konsiderueshme në favor për familjen Bakija, respektivisht është shtuar sipërfaqja prej 930 metra katrorë.
Konfirmimin e këtij propozimi në fjalë, sipas kallëzimit penal ish-kryetarja e ka vertetuar edhe përmes kërkesës zyrtare të 17 qershorit 2015, drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës, përkatësisht ish-ministrit Lutfi Zharku.
Këto veprime, sipas AAK-së, janë bërë me dashje në kundërshtim me Planin Rregullues Urban Revidimi Orize 1/8, sipas të cilit në një pjesë të këtij lokacioni parashihet gjelbërimi.Tutje sipas tyre, këto veprime ajo i ka ndërmarrë krye në vete dhe në këtë mënyrë duke mënjanuar apo anashkaluar miratimin e këtij ndryshimi përmes procedurave të kërkuara.
Sipas kallëzimi penal, Kusari-Lila, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar dhe i ka tejkaluar kompetencat e saj, duke mos respektuar projektin e aprovuar të rrugës dhe rrethrrotullimit , dhe jo ta zhvendos atë.
Gjithashtu, sipas kallzimit penal ajo ka vepruar në kundërshtim me planin rregullues në fuqi, sipas të cili pjesa e vogël e mbetur nga prona e familjes Bakija kishte qenë e paraparë për gjelbërim dhe si të tillë ta shpronsojë, dhe jo ta rrisë këtë sipërfaqe duke krijuar hapësirë të mjaftueshme ndërtimin e objektit kolektiv për dobi të familjes Bakija, pa miratimin e Asamblesë Komunale në Gjakovë dhe në këtë mënyrë duke i shkaktuar dëm Komunës së Gjakovës.
AAK –ja i ka propozuar prokurorisë që të merret aktvendim për fillim të hetimeve për këtë rast.
Ndryshe, lidhur me këtë kallëzim penal, “Betimi për Drejtësi” ka provuar të kontaktojnë me Mimoza Kusari-Lilën, por e njëjta nuk ka qenë e qasshme.