2 milionë e 240 mijë euro më pak i ka ndarë Qeveria e Kosovës, Radio Televizionit të Kosovës për vitin 2022.
Qeveria e Kosovës e ka miratuar projektligjin për vitin 2022 në vlerë totale prej 2.7 miliardë eurove.
Në kuadër të këtij buxheti për vitin 2022, Qeveria ka planifikuar 8 milionë e 960 mijë euro buxhet total për RTK-në.RTK-ja për vitin 2021 kishte pasur 11.2 milionë euro buxhet për të shpenzuar.Kjo ndarje ka nxitur reagime tek Sindikata e Punëtorëve të RTK-së.
Ata kanë kërkuar nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere që përmes shqyrtimit të projekt buxhetit të rrisin buxhetin për RTK.Gjithashtu përmes një komunikate ata kanë thënë se me këtë buxhet rrezikohet mirëqenia e punëtorëve të RTK-së.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 43-të ka miratuar buxhetin për vitin 2022. Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se buxheti ka për qëllim riorientimin e ekonomisë drejt eksportit.Buxheti për vitin 2022, sipas shefit të Financave të vendit, do të jetë 2.7 miliardë euro, e që sipas tij, përfaqëson ndryshim në orientimin e financave publike.
“Në këtë ligj për buxhetin, ka edhe disa risi të tjera. Kemi ndarë një kontingjent për ligjet e reja që mund të priten gjatë vitit të ardhshëm, në vlerë 50 milionë euro”, tha Murati gjatë mbledhjes.