Në muajin shtator të këtij viti të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 43.1% në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020.
Këto të dhëna tregojnë për një deficit tregtar më të lartë gjegjësisht në vlerë prej 351.3 milionë eurosh, krahasuar me deficitin 245.5 milionë eurosh në vitin 2020.
Eksporti mbulon importin me 16.5%, thuhet në njoftimin e ASK-së.
Eksporti i mallrave në muajin shtator 2021 kishte vlerën 69.3 milion euro, ndërsa importi 420.6 milion euro, që është një rritje prej 66.2% për eksport dhe 46.4% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 29.4% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 24.4% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 9.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.9% e përbëjnë produktet bimore; 7.2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.9% e përbëjnë produktet minerale; 3.3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.3% e përbëjnë mjetet e transportit; 13.1% e përbëjnë produktet minerale; 12.4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.2% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 6.8% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 19.3 milion Euro, ose rreth 28.0% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 40.4%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (8.6%), Italia (5.8%), Holanda (2.4%), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 158.0 milion Euro, ose 37.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 34.7%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.4%), Greqia (4.2%), Sllovenia (4.0%), Italia (3.9%), etj.
Në muajin shtator 2021, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-së arritën në 23.4 milion Euro, ose 33.8% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 26.1%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Shqipëria (14.2%), Maqedonia e Veriut (10.8%), Serbia (4.8%), dhe Mali i Zi (3.0%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin shtator 2021 arritën në 78.8 milion Euro, ose 18.7% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 26.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (6.2%), Serbia (6.0%), dhe Maqedonia e Veriut (5.0%)”, thuhet në njoftim.
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 26.5 milion euro, ose 38.2%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA me 19.2% dhe Zvicra me 6.6%.
Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 183.8 milion Euro, ose 43.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (11.0%) dhe SHBA (10.9%)”, thuhet në njoftim.