Kur në të kaluarën hipnim në autobus ose në metro, ishte e zakonshme të shihnim pasagjerë të zhytur në leximin e një gazete, pa i kushtuar aspak vëmendje kujt po udhëtonte krah tyre. Ishte megjithatë një imazh sigurues, pasi të krijonte përshtypjen e shkëputjes nga të gjithë, por në të njëjtën kohë interesimi i tyre për faktet e ditës i afronte me ty. Ishin pjesë e botës sonë, nga e cila nuk donin të hiqnin dorë në asnjë mënyrë. Ata sinjalizonin praninë e tyre, ndonëse pa komentuar ose pa u përpjekur të nisnin një bisedë me personin në ulësen ngjitur.
Po sot? Peizazhi është i ndryshëm, ndërsa je ulur në autobus, apo i mbështetur pas një parmaku, ti je vazhdimisht duke “luftuar” me celularin, duke kërkuar kuturu, dërguar dhe lexuar mesazhe që vijnë papushim. E gjithë kjo ndodh ndërsa autobusi frenon, rrit shpejtësinë ose futet në një kthesë, duke vënë kështu në provë të fortë ekuilibrin e atyre që merren me celularin. Imazhi i një djali që sfidon vazhdimisht ekuilibrin e vet, në mënyrë që të komunikojë me vajzën ose miqtë do ta kishte bërë të lumtur sociologun kanadez Marshall McLuhan, teoricienin e fshatit global, në të cilin të gjithë janë zhytur në një rrjet komunikimi, një rrjetë e përsosur merimange, që na mbështjell të tërëve.
Dhe vajza ose djali, të zhytur plotësisht në celularin e tyre, injorojnë atë që po ndodh përreth, mezi ngrejnë kokën për të parë stacionet e autobusëve, pikërisht sepse ata jetojnë në një botë tjetër, e cila madje sfidon ligjet e gravitetit që do t’i rikthenin në tokë. Duke parë fytyrat e tyre, kupton se janë shumë të kënaqur, ata buzëqeshin me mesazhet, apo edhe qeshin zhurmshëm, duke mos e vrarë mendjen për praninë e pasagjerëve të tjerë. Është e vërtetë që jetojmë në shoqërinë e emocioneve, emocionet ua komunikojmë të tjerëve, para se t’ua kuptojmë edhe personalisht domethënien.
Duke ndenjur afër një vajze që buzëqesh në autobus, apo një djali që qesh në përgjigje të një mesazhi, përjetojmë ndjenja të përziera, ndjehemi si udhëtarë të detyruar të dëshmojmë shkëmbime intime, kuptimin e të cilave nuk e rrokim, por në të njëjtën kohë pyesim veten se çfarë i bën ata të buzëqeshin dhe kush është në anën tjetër.
Ndonjëherë, një pyetje absurde na lind: mbase nuk ka njeri me të cilin po komunikojnë, a mos është thjesht një trillim për të mos u ndjerë vetëm? Ndoshta për këtë jemi të ndikuar nga filmi amerikan “Ajo”, i disa viteve më parë, fitues i çmimit të çmimit Oscar me regjisor Spike Jonze, në të cilin një shkrues letrash dashurie, Theodore, njeri i ndjeshëm dhe i vetmuar, vendos të ketë një marrëdhënie romantike me Samantën, sistemin operativ të kompjuterit të tij, që i përgjigjet me një zë femre, tejet magjepsës.
Për fat të mirë, zilja e celularit na bën të kuptojmë se ekziston një bashkëbiseduese reale në anën tjetër, djali nuk jeton në një botë që reflektohet vetëm në veten e tij. Por edhe pse nuk jeton në një botë të tillë, ekziston rreziku i shmangies së shkëmbimeve me të tjerët, sepse këto shkëmbime të vendosin në situata të papritura, ndonjëherë të vështira dhe konfliktuale që mund të krijojnë ankth dhe të vënë në provë identitetin personal dhe sigurinë. Përballë këtyre rreziqeve, smartphone bëhet një mik më i sigurt, pothuajse një zgjatim i vetvetes, vazhdimisht i pranishëm, gjë që na bën të kapërcejmë kufijtë e hapësirës dhe kohës. Edhe në momentet e zbrazëtisë ose mërzitjes ai mbush jetën tonë, përmes ekranit të tij lidhemi me të tjerët, futemi në faqet pas të cilave jemi shumë të apasionuar, luajmë.
Në këtë mënyrë ndërtohet një univers narcisist, i shkëputur nga ligjet e shkëmbimeve me të tjerët në të cilin njeriu mund të jetojë kollaj pa bërë sakrifica, pa patur nevojë të presë për kohën e përditshmërisë. Të mos harrojmë se ndërsa biseda ka kohërat dhe rregullat e saj, si dhe vështirësitë për të kuptuar dhe për t’u kuptuar, këtu gjithçka është nën flamurin e menjëhershmërisë dhe shpejtësisë, në të cilën mesazhet thjeshtësohen në mënyrë të pashmangshme. Dhe konteksti i shkëmbimeve zvogëlohet pasi mesazhet që nuk përfshijnë pauza dhe reflektime shumohen, gjithçka reduktohet në një gjuhë që është e gjymtuar dhe e deformuar. Kjo është arsyeja pse 35% e të rinjve që janë përballur me pjekurinë, nuk janë në gjendje të kuptojnë një tekst me kompleksitet mesatar.
Psikologia amerikane Sherry Turkle e cila jep mësim në MIT të Bostonit, është përpjekur vitet e fundit të studiojë evolucionin e strategjive mendore. Në librin e sa “Së bashku, por vetëm” tregon se si jetohet në botën e sotme teknologjike, kur jemi në shtëpi vazhdojmë të dërgojmë mesazhe dhe emaile, edhe kur jemi ulur në tryezë me familjen, por ndodh edhe gjatë takimeve të punës dhe në klasë. Ne futemi në Facebook ose blejmë produktin më të fundit në internet. Siç shkruan Sherry Turkle, ne vazhdimisht jetojmë në një regjim të dyfishtë: flasim, përqafohemi, puthemi me një person tjetër, por truri ynë është sintonizuar diku tjetër, me zilen e telefonit kur vjen një mesazh. Ndërsa e dimë se sa kjo pengon jetën tonë mendore, por vazhdojmë ta bëjmë sepse ndiejmë një vetëkënaqësi të caktuar, e ila madje fillon që në muajt e parë të jetës. Në fakt, nëse i tregoni një fëmije 10 muajsh një lodër apo një ekran smartphone, ai preferon këtë të fundit!
Nga Masimo Amaniti
Psikanalist dhe Profesor në Universitetin “La Sapienza”
Discussion about this post