Nëpërmjet një videomesazhi në adresë të Konferencës Rajonale të Financave, kreu i shtetit turk vuri në pah se po luftojnë prej gati dy vitesh me një krizë globale, e cila krahas përmasave shëndetësore, ka edhe dimensione ekonomike.
Duke risjellë në kujtesë se ekonomia botërore u tkurr me 3,5% dhe tregtia globale me gati 10% në vitin 2020, Presidenti Erdogan theksoi se çmimet e produkteve ushqimore dhe mallrave thyen rekordin e 10 viteve të fundit në shkallë botërore.
Në këtë proces – vijoi ai – Turqia adoptoi një metodë të ndryshme si në luftën kundër epidemisë ashtu edhe në fushën e ekonomisë.
“Edhe në periudhat kur pandemia u ndje më intensivisht, ne nuk zgjodhëm të mbyllnim prodhimin, logjistikën, punësimin dhe industrinë. /…/ Në vitin 2020, ne ishim ndër vendet që shënuam rritjen më të lartë në G20, me një normë prej 1,8% dhe me rritjen më të madhe të prodhimit industrial. Ne e vazhduam këtë vrull duke arritur ritme rritjeje prej 7,2% në tremujorin e parë dhe 21,7% në tremujorin e dytë të vitit 2021. Po kështu, ne thyem një rekord në eksporte duke hedhur pas krahëve nivelin e 212 miliardë dollarë në bazë vjetore. Ndërsa investimet globale u ulën me 35% gjatë periudhës së pandemisë, tek ne pothuajse nuk u ngadalësuan asnjëherë. Me lejen e Allahut, ne presim që ta mbyllim vitin 2021 me një rritje prej 9%”, u shpreh presidenti turk.
Sipas tij, interesi i investitorëve ndërkombëtarë për Turqinë është rritur paralelisht me këto suksese.
“Me Qendrën Financiare të Stambollit po kërkojmë të bëhemi një nga qendrat e rëndësishme në botë në këtë fushë. Ne aspirojmë që ky projekt të bëhet qendër edhe në aspektin e financave islame. Së shpejti ne shpresojmë të përfundojmë edhe përgatitjet tona mbi legjislacionin e nevojshëm për këtë”, theksoi ai.
Në fund, Erdogani i ftoi sipërmarrësit e huaj që të investojnë në Turqi duke sqaruar se Turqia ka një legjislacion shumë tërheqës për investitorët ndërkombëtarë në drejtim të krijimit të biznesit dhe mundësive të biznesit./TRT/