Ish-kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, në një prononcim ka thënë se është ndarë i kënaqur me rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 17 tetorit.
Rugova tha se beson që Lidhja Demokratike, në krye me kandidatin për kryetar, Ilir Feratin, do ta udhëheq përsëri këtë komunë.
Ish-nënkryetari i LDK-së u shpreh se do ta mbështet fuqishëm Feratin në balotazh.
“LDK-ja do të del fituese në balotazh. Rezultatet kanë qenë të mira, reale dhe të drejta.
Po e përkrah sa po mundem Ilir Feratin, do ta bëj kryetar”, tha Rugova.
Në zgjedhjet që u mbajtën të dielën e kaluar, kandidati për kryetar të Istogut, Ilir Ferati mori 7 mijë e 607 vota kurse kandidati i AAK-së, Bekë Berisha 4 mijë e 947 vota.
Qytetarët e komunës së Istogut do t’ia mësyjnë kutive të votimit edhe në datën 14 nëntor për të zgjedhur kryetarin e tyre.
Përveç Istogut, edhe 20 komuna të tjera kanë shkuar në balotazh.