Infuzioni që ia dhanë mërgimtarët këtë verë ekonomisë së Kosovës, ndikoi në rimëkëmbjen e shpejtë nga dëmet pandemike, njofton KlanKosova.
Ardhja masive kësaj vere e diasporës është faktori kryesor i rritjes ekonomike sivjet.
Banka Botërore po parasheh 7.1 përqind zgjerim të aktivitetit ekonomik, pas dëmeve që shkaktoi pandemia vitin e kaluar. Këtu ndikuan po ashtu edhe masat fiskale shtetërore dhe kreditë konsumuese.
Kjo rimëkëmbje po vlerësohet mbi mesataren e paraparë edhe në aspektin e prodhimit, transmeton indeksonline.
“Ekonomia e Kosovës po rimëkëmbet me shpejtësi nga tkurrja e shkaktuar më 2020. Aktiviteti real ekonomik do t’i kalojë nivelet e vitit 2020 deri në fund të vitit 2021. Raporti gjithashtu thekson përmirësimin e pozitës fiskale, të përkrahur nga rimëkëmbja e shpejtë”, u shpreh Massimiliano Paolucci, menaxher i BB për Kosovën.
Kosova madje qëndron më mirë në këtë aspekt se sa vendet fqinje e mbi mesataren regjionale.
Sipas raportit, rritja më e madhe sivjet u shënua gjatë tre muajve të parë. Por ende ekziston rreziku nga pandemia, andaj Banka Botërore sugjeron vaksinimin e gjithë popullatës.
Veç kësaj, kjo i bën thirrje qeverisë që të fokusohet në rritjen e produktivitetit dhe krijimin e vendeve të punës, pasi në këto të fundit, gjatë pandemisë, u dëmtuan gratë dhe të rinjtë.
Ndryshe nga ky institucion ndërkombëtar, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, një ditë më parë parashikoi se rritja ekonomike në vend mund të shkojë deri në 10%.