Stablizimi afatgjatë ndërkombëtar i shtetit të Kosovës, i cili për pak muaj, apo në shkurtin e vitit 2022 do t’i bëjë 14 vjet ekzistencë, është peng i trefishtë: I OKB-së, i BE-së dhe i Serbisë.
Shkruan: Blerim Shala
Ky stabilizim, më së paku varet nga arritjet e brendshme të shtetit të Kosovës, në përparimin në zhvillimin e demokracisë, në sferën e sundimit të ligjit, apo kudoqoftë.
Edhe po të bëhet Kosova një Zvicër, fati i saj ndërkombëtar, si qëndrojnë punët tani (dhe me gjasë, për vite të tëra), pakçka do të mund të bëhet për avansimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.
Ky pozicion është në duartë e gjeo-politikës, lojërave të ndryshme rajonale dhe ngathtësisë në vendimmarrjen e Bashkimit Evropian.
Këtë të premte, siç e pamë të gjithë, u mbajt Sesioni i radhës i Këshillit të Sigurimit të OKB-së në New York, për ta trajtuar Raportin e radhës për gjendjen në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. I pranishëm ishte edhe Shefi i UNMIK-ut.
Kosova qëmoti nuk ka Administratë të mirëfilltë ndërkombëtare (që prej 17 shkurtit të vitit 2008-të). UNMIK vegjeton në Kosovë, pa kurfarë roli këndejpari. Por, për shkak se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (e miratuar me 10 qershor të vitit 1999-të), është ende në fuqi, ky trup ndërkombëtar ka një rol simbolik në këtë aspekt. Për më shumë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka rol vendimtar në anëtarësimin e Kosovës në OKB, gjë që do të thotë se arritja sipërore ndërkombëtare e një shteti (ngritja e flamurit shtetëror në East River, në selinë e OKB-së), nuk mund dot të arrihet pa pëlqimin e së paku nëntë shteteve (prej pesëmbëdhjetë shteteve sa janë në përbërjen e kësaj instance më të lartë të sigurisë botërore), ku pesë shtetet anëtare të përhershme të tij (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina), nuk duhet ta përdorin të drejtën e veto-s.
Kur dihet cili është qëndrimi i Rusisë për shtetin e Kosovës, asnjë shtet mik perëndimor i Kosovës, nuk shpreson që mund të ketë çfarëdo gjase për sukses aplikimi eventual i Kosovës për tu bërë shtet anëtar i OKB-së.
Rusia, në këtë aspekt, pa bërë kurfarë investimi (përkundrazi, vetëm sa ka përfituar politikisht, diplomatikisht dhe ekonomikisht), i lëvizë ‘figurat’ në atë tabelën e madhe të shahut gjeopolitik, përmes afërsisë që ka me Serbinë, veçmas me këtë të Presidentit Aleksandar Vučić.
Mund të merret me mend se çfarë do të ndodhte me gjithë këtë rrëfimin për shpalljen e pavarësisë dhe për stabilizimin kohëgjatë të shtetit të Kosovës, sikur Rusia të kishte qëndrim ndryshe për Kosovën. Në atë rast, Serbia nuk do të mund ta pengonte Kosovën në këtë rrugëtimin kah OKB-ja, gjë që automatikisht, pastaj, do të ishte vendimtare edhe për fatin e bisedimeve në mes të autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Qëmoti do të ishte harruar ky dialog, dhe sot Kosova dhe Serbia do të mund të kishin së paku marrëdhënie korekte fqinjësore, në mos edhe marrëdhënie të mira.
Por realiteti është ky që është. Në selinë e OKB-së, në New York.
Në anën tjetër, Kosova është edhe peng i mënyrës se si funksionon BE-ja, në atë vendimmarrjen kryesore, e cila kërkon një konsensus të të gjitha shteteve.
BE-ja, apo, thënë më mirë, shtetet anëtare të saj, edhe pse në instancë të fundit, nuk patën vërejtje për Propozimin Gjithpërfshirës të Presidentit Ahtisaari (me të cilin propozohej Pavarësia e Kosovës, me një periudhë të mbikëqyrjes ndërkombëtare), dhe për më shumë, përkrahën vendosjen në Kosovë të Misionit të EULEX-it, nuk arritën që të jenë me një zë kur bëhet fjalë për njohjen e shtetit të Kosovës. 22 prej 27 shteteve anëtare njohën Kosovën në harkun kohor shkurt – tetor, 2008, por fuqia politike e pesë shteteve që nuk mirëpritën pavarësinë e Kosovës (Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qipro), u tregua më e madhe se sa e gjithë këtyre shteteve të tjera, duke i bërë dëm të madh Kosovës në të gjitha aspektet e mundshme, në radhë të parë në ato që përkojnë me sigurimin e qëndrueshmërisë afatgjatë ndërkombëtare të Kosovës.
Po të ishte ndryshe, pra, sikur në vitin 2008-të, të gjitha shtetet anëtare të BE-së do ta njihnin Kosovën, dialogu në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, i cili do të udhëhiqej prej Brukselit (në pajtim me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në shtator të vitit 2010, pas mendimit këshilldhënës të ICJ-së, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të korrikut të vitit 2010), njëmend do të ishte fare teknik, dhe tashmë Kosova do të ishte shumë pranë anëtarësimit në Aleancën Veri-Atlantike, teksa edhe perspektiva evropiane do të kishte avansuar shumë më tepër.
Por realiteti është ky që është. Në selinë e BE-së, në Bruksel.
Po mos të ishin këto dy situata pra në OKB dhe në BE, Serbia nuk do të mund ta mbante peng Kosovën, me këtë mungesën e vullnetit, i cili është shfaqur fare qartë edhe në rrjedhën e muajve të fundit të dialogut në Bruksel, të prirë nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajčak, për ta bërë Marrëveshjen Gjithpërfshirëse me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Fuqia politike dhe diplomatike e Serbisë është ndërtuar e tëra me rolin që ka Rusia në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dhe nga mungesa e unitetit në BE në trajtimin e temës së pavarësisë së Kosovës.
Po të ishte ndryshe, qoftë në OKB apo në BE, Serbia nuk do të kishte kurfarë fuqie në dialogun me Kosovën.