Ministri i Financave, Punёs dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se si rezultat i performancës së mirë financiare dhe hapësirës fiskale të krijuar, sot ka marrë vendim që prej këtij muaji të zgjerohet skema e shtesave për fëmijë edhe për fëmijët e lindur nga viti 2015 e tutje.
Pra të gjitha nënat që kanë fëmijë të lindur nga data 1 janar 2015 e tutje, mund të aplikojnë për shtesa, të cilat do të fillojnë t’i marrin nga ky muaj.
Aplikimi për fëmijët 2015+ do të hapet prej ditës së nesërme.
“Për të përfituar nga ky muaj e tutje, aplikimi duhet të bëhet më së largu deri me 24 tetor. Aplikimet që bëhen pas datës 24 tetor, shqyrtohen në muajin pasues”, ka thënë Murati.
Pas pilotimit me sukses të masës së shtesave për fëmijë, ai thotë se kanë vërejtur se në disa raste llogaria bankare ka qenë e vendosur gabim.
“Andaj që të parandalojmë gabime të tilla, marrë parasysh edhe vëllimin e shtuar të aplikimeve që pritet të rezultojë me zgjerimin e programit për gjeneratën 2015+, e kemi parë të nevojshme që në formularin e aplikimit të shtojmë edhe funksionin e validimit të llogarive bankare në kohë reale. Këtë e kemi bërë në bashkëpunim me ASHI dhe BQK”, ka deklaruar ministri.
Pra tani e tutje, që të pranohet aplikimi, duhet të siguroheni se llogaria është në emrin e nënës.