Profesori i Universitetit të Parisit, Nezir Kraki vlerëson se përkrahja amerikane dhe ajo e NATO-s për operacionin e fundit anti-krim dhe anti-kontrabande, do te thotë se kemi hyrë në logjikën e forcimit të Kosovës si shtet si rruga e vetme për ecje përpara.
“D.m.th kemi dalë nga përpjekjet që për synim kishin kompensimin e Serbisë për «humbjen e Kosovës» falë sidomos bandave politike dhe idioteve të dobishëm të grenellizmit. E kam thënë me shkrime, me intervista e me biseda se gjeja e vetme që na duhet është Kosova shtet funksional me institucione legjitime që nuk shantazhohen. Veç një Kosove e tillë dëgjohet e respektohet nga rajoni e Evropa”, shkruan Kraki në Facebook.
Me këtë rast ka kritikuar edhe opinionistët që sipas tij, janë të bindur se “as buka s’mund te piqet n’Prishtinë pa lejen e Serbisë”.
“Kosova e beratave, të bindur se as buka s’mund te piqet n’Prishtinë pa lejen e Serbisë, nuk guxon as të imagjinohet. Sikurse nuk guxon te imagjinohet Kosova e analistëve që vajtojnë e lehin sa herë cenohen interesat e Serbisë. Kaq e thjeshte është kjo punë”, përfundon Kraki.