Legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës është konstituuar me 22 mars të vitit 2021. Pagat dhe mëditjet e deputetëve për muajin prill, maj dhe qershor i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 1 milion e 64 mijë e 860 euro.
Këto të dhëna janë raport për shpenzimet e Kuvendit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2021.
Pagat për muajin prill të 120 deputetëve i kushtuan buxhetit të shtetit 335 mijë e 843 mijë euro, ndërsa për muajin maj, kishte rritje në 358 mijë e 494 euro, avazi vazhdoi edhe për muajin qershor në 370 mijë e 522 euro.
Pra, pagat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës kanë kushtuar 1 milion euro nga buxheti i shtetit, për 3 muaj.
Por, në anën tjetër, shumë ligje mbesin pa u votuar për shkak të mungesës së kuorumit të deputetëve në seanca dhe shpeshherë seanca shndërrohet në një vend për përplasje në mes deputetëve dhe diskutime jashtë rendit të ditës duke kaluar edhe në gjëra personale.
E lidhur me atë se pse deputetët nuk përfaqësojnë denjësisht qytetarët të cilët i kanë votuar derisa paguhen aq shumë nga taksat e tyre, për gazetën “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të çështjeve politike.
“Të ndryshohet rregullorja e Parlamentit”
Analisti Adem Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se këta deputetë duhet ndëshkuar, por gjë e cila në mungesë të ligjit nuk ndodh.
Bytyçi thotë se duhet të ndryshohet rregullorja e Parlamentit dhe të ndëshkohen, para se të ndëshkohen nga qytetarët me votë për këto sjellje të tyre.
“Deputet të cilët e lëshojnë Kuvendin për të shkaktuar mungesë kuorumi për tu mos aprovuar ligje të rëndësishme për vendin duhet të ndëshkohen. Mirëpo, për fat të keq kjo nuk ndodhë në mungesë të ligjit. Kuptohet qytetarët nuk i zgjedhin deputetët për tu tallur me interesat e vendit, për ta lëshuar Parlamentin sa herë t’iu teket, për të mos votuar ligjet të cilat janë shumë të rëndësishme për vendin dhe qytetarët, qytetarët para se t’i ndëshkojnë me votë deputetët për sjellje të tilla të pa përgjegjshme, kërkohet të ndryshohet rregullorja e Parlamentit që në raste të tilla deputetët të ndëshkohen materialisht”, tha ai.
Ai thotë se duhet t’iu ulen pagat deputetëve, sepse e gjitha kjo ndodh në mungesë të ligjit.
Madje ai shton se edhe në zgjedhjet komunale, kanë kandiduar kandidatët që nuk kanë qenë të dënuar për korrupsion, për shkak të mungesës së deputetëve të pakorruptuar
“Qytetarët e Kosovës nuk i votojnë deputetët që kur të donë ata të shkojnë në parlament dhe kur t’iu teket ta lëshojnë Parlamentin. Deputetëve të Parlamentit të Kosovës duhet t’iu ulën rrogat në një Kosovë në të cilën niveli i përgjithshëm i jetesës së qytetarëve është shumë i ultë. Për shkak të mungesës së kandidatëve të pa korruptuar, shumë parti për kandidatë për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale kanë kandiduar kandidatë të cilët më parë kanë qenë të dënuar për korrupsion dhe shkelje të ligjit. Sjelljet e papërgjegjshme të deputetëve në parlament përveç vetëdijes së ultë të tyre për t’i përmbushur obligimet e deputetit, kjo ndodhë edhe në mungesë të ligjit i cili do t’i dënonte deputetët kur nuk i realizojnë obligimin e zgjedhësve të tyre”, ka potencuar ai.
Ai shton se deputetëve duhet ulur pagat si dhe t’iu hiqen edhe shumë beneficione të tjera.
“Shpesh ndodhë që qytetarët t’i përcjellin me indinjatë sjelljet e pa përgjegjshme të deputetëve në Kuvendin e Republikës, por janë të pa fuqishëm të marrinë masa ndaj tyre në mungesë të një rregullative ligjore. Deputet e Kosovës edhe pse nuk i përmbushin ashtu siç duhet, obligimet e deputetit jetojnë mirë me rroga mjaftë të larta të cilat i marrin nga gjepi i varfër i taksapaguesve Kosovar, për çka duhet gjithsesi të ju ulen rrogat dhe t’iu hiqen shumë beneficione tjera të cilat i marrin në emër të anëtarëve të disa komisioneve parlamentare etj etj”, shtoi Bytyçi.
“Komisionet nuk po i shqyrtojnë ligjet për Kuvend”
Ndërsa juristi, Muhamet Kelmendi ka thënë se vartësia legjislative është nga ekzekutivi, dhe e dirigjon pushtetin e Kuvendit, gjë që kemi edhe dështime.
Sipas Kelmendit, pushteti ekzekutiv kohën po e harxhon me shkarkime dhe ngarkime të bordeve, gjë që kërkojnë kohë dhe bënë edhe shpenzime.
“Pse po dështon Kuvendi i Republikës, pushteti në Kosovë është i ndarë juridikisht. Pavarësia e tri pushteteve garantohet me Kushtetutë. Mirëpo, në kuadër të aktivitetit të organeve kemi një përzierje të pushteteve. Në fakt vartësia e legjislativit është totale nga ekzekutivi. Ky e dirigjon tërësisht pushtetin e Kuvendit. Në këtë anë kemi edhe dështime. Pushteti ekzekutiv po e harxhon kohën dhe punën e komisioneve dhe të Kuvendit me shkarkime dhe ngarkime të bordeve të ndryshme. Vetëm brenda dy muajve kemi shkarkime të mëdha në vend. E kjo punë kërkon kohë dhe bënë shpenzime të mundimshme. Komisionet po merren me shkarkim dhe me ngarkim te bordeve”, tha ai.
Kelmendi shtoi se harxhime të komisioneve të Kuvendit bëjnë Agjencia e privatizimit, e arsimit si dhe e RTK-së, dhe se Komisionet nuk po i shqyrtojnë projektligjet, madje këtë anash e kanë lënë edhe pushteti ekzekutiv dhe ministritë.
Ai thotë se këtu ka të bëjë me dështimin e punës së Kuvendit si pushtet legjislativ.
“Vetëm disa borde, ai i Agjencisë së privatizimit, Agjencisë së arsimit dhe të vlerëshmërisë, si dhe të RTK-së bënë harxhime të mëdha të kohës së komisioneve dhe të Kuvendit, u harxhuan disa muaj. Komisionet po merren vetëm me këtë punë. Ato nuk po shqyrtojnë projektligjet dhe nuk po i përgatitin ato për Kuvend. Edhe pushteti ekzekutiv, ministritë, janë kapur pas të ashtuquajturës “spastrim të pushteteve”. E kanë lënë anash çështjen e punës dhe të përgatitjes së projektligjeve për Kuvend. Kudo neper pushtet po kryhet pune spastruese. Tamam sikurse te ishin armiq te shtetit dhe popullit Këtu është shkaku i dështimit të punës së Kuvendit si pushtet legjislativ”, shtoi Kelmendi.
Tutje potencoi se këtu duhet punë spastruese, ndërsa, largimet nga puna duhet bërë për mos punë dhe korrupsion, ndërsa të tjerat largime janë jo legjitime.
Përveç kësaj, Kelmendi thotë se kështu me mospajtime as dialogu nuk po kalon si duhet në Kuvend.
“Po këtu dalin edhe dështimet tjera në fusha të ndryshme të pushteteve. Natyrisht se duhet punë spastruese. Por, askush nuk mund të largohet për përkatësi politike. Largimet nga puna duhet të bëhen për mos punë, për korrupsion dhe për kriminalitet. Largimet tjera janë jo legjitimime dhe kështu vetëm thellohen konfliktet në vend. Ne kështu do të kemi vazhdimësi hakmarrëse. Kuvendi nuk do të kryej detyrat madhore as çështja e dialogut me Serbinë nuk po kalon si duhet në Kuvend. Aty ka vetëm mospajtime midis grupeve parlamentare dhe pozitës e opozitës”, tha ai.
Më tej ka shtuar se edhe në fushën e ligjeve kemi dështime, ai thotë se Kuvendi nuk dinë të funksionojë si organ i pavarur, duke pasur raporte edhe me kuvendet e shteteve të tjera, madje, sipas tij, Kuvendi nuk ka as platformë të përbashkët me pushtetin ekzekutiv.
“Nuk ka platformë. Edhe në fushën e ligjeve kemi dështime. Po kalojnë ligjet që i shërbejnë partisë në pushtet. Në raportet me jashtë është Kuvendi në pozitë amorfe pa asnjë punë konkrete. Ai nuk dinë të funksionojë si organ i pavarur dhe të ndërtohet në raporte me kuvendet e shteteve të ndryshme në botë. Është shumë i ngurtë Kryetari dhe vetë Kuvendi. Dhe në fakt nuk ka një platformë të përbashkët me pushtetin ekzekutiv . Kështu kemi një gjendje të rendë dhe shumë jo produktive. Këtej priten edhe dështime tjera në fusha të ndryshme të Republikës”, potencoi Kelmendi./B.S./