Marrëveshja e Washingtonit e arritur vitin e kaluar në Shtëpinë e Bardhë, është një zotim që detyrimisht duhet respektuar, ka thënë Ambasada e Shteteve të Bashkuara.
Kjo meqë theksohet se kjo ujdi është studiuar në tërësi me kujdes nga Administrata Biden.
”Ambasadori Kosnett e përsëriti këtë gjatë intervistës së tij javën e kaluar me Radio Kontakt Plus: ”Ne besojmë se vendet kanë detyrimin të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet që ishin bërë më parë. Për shembull, administrata e Biden studioi me kujdes marrëveshjet e Washingtonit që Z. Vuçiq dhe Hoti bënë në Shtëpinë e Bardhë dhe arriti në përfundimin se këto janë gjëra që duam t’i shohim palët të vazhdojnë të ecin përpara – rritja e tregtisë, rritja e investimeve, rritja e përpjekjeve për të luftuar terrorizmi etj”.
Sipas tyre, Ambasadori Kosnett, Zëvendës Ndihmës Sekretari Palmer dhe zyrtarë të tjerë të SHBA kanë qenë të qartë dhe të qëndrueshëm në lidhje me qasjen e administratës së Biden ndaj angazhimeve të Washingtonit, raporton klankosova.tv.
”Administrata e Biden-it kohët e fundit përfundoi një rishikim të plotë të politikave të saj në Ballkanin Perëndimor. Vendosi që shumë prej përpjekjeve të administratës së mëparshme, përfshirë angazhimet e Washingtonit, ia vlen të ruhen dhe të ndërtohen mbi to. Kosova tashmë po përfiton nga këto angazhime; për shembull, marrëdhënie të plota diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit. Ne besojmë se marrëdhëniet zyrtare do të çojnë në rritjen e tregtisë dhe investimeve dypalëshe, si dhe në më shumë shkëmbime profesionale dhe arsimore”.
Ky reagim vjen pas deklaratës së zëdhënësit të qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i cili tha se marrëveshja e Washingtonit nuk e ka vlerën dhe natyren juridike të një marrëveshjeje.
“Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se së pari ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje për shkak se asnjë nuk është sjellë në Kuvend as për t’u diskutuar as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe si i tillë me të drejtë është quajtur si dokument me zotime të njëanshme të një Qeverie e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet dhe më pastaj në ndërkohë u pat vërtetuar se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Përtej asaj ne jemi në kontakt me ShBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”. ka thënë Kryeziu për EO.