Kisha orthodokse serbe në oborrin e Universitetit të Prishtinës duhet të largohet nga aty një orë e më parë.
Shkruan: Mustafë Bajrami
Sa më shpejt që Gjykata bjen vendimin për rrënimin e saj, aq më mirë bëhet për të gjithë ne. Të rrënohet, jo pse është kishë serbe e orthodokse. Zoti mos thashtë. As pse është e ndërtuar pa leje. Me mijëra objekte pa leje ka në Prishtinë. As pse është uzurpuar hapësira publike. Në Kosovë i madh e i vogël janë uzurpatorë. E as pse është në oborrin e Universitetit.
Të rrënohet sepse ajo si-kishë është simbol i dhunës. Simbolikë e vrasjeve masive, shfarosjeve e masakrave që janë bërë mbi shqiptarët që nga viti 1912. Sa për tu rikujtuar krimet serbe, më mirë do të ishte të bëhej një muze shtetëror ku do të ekspozoheshin krimet që i janë bërë popullatës së këtij vendi. Por jo të jetë kjo si-kishë. Të rrënohet gjithashtu, sepse e ka ndërtuar Kasapi i Ballkanit dhe Arkani famëkeq. Dy kriminelët ndër më gjakpirës që pati Evropa në 100 vjetët e fundit.
Në ndërkohë, të ndërtohet një kishë orthodokse e re, po pati mundësi tri herë më e madhe se kjo. Ku të duan serbët në Prishtinë. Por të jetë me leje dhe me vullnetin e qytetarëve të këtij vendi. Që të simbolizojë ajo kishë gatishmërinë tonë për paqe e të jetë vend adhurimi për të gjithë besimtarët orthodoks, ngado që vijnë ata. Pra, ta bëjmë ne. Ne që i besojmë Zotit dhe duam paqe me të gjithë. E jo arkanët e milloshët të cilët vranë me miliona shqiptarë e muslimanë anekënd Ballkanit.
Me largimin e atij objekti nga aty e me ndërtimin e një kishe të re orthodokse, në anën tjetër, do ta bënim botën të kuptojë se ne shqiptarët e kuptojmë mirë si po funksionon bota sot. E, përderisa bota është ndarë sërish dhe po ndahet edhe më shumë mbi baza fetare, ne shqiptarët do të reflektonim se jemi të gatshëm t’i kapërcejmë ato ndarje dhe duam e duhet t’i rrespektojmë të gjitha të drejtat e të gjithëve…!