Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka marrë pjesë në Samitin për Ballkanin Perëndimor në Tiranë, ku është me krerët e vendeve të Ballkanit, e në mes tyre edhe me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, me të cilën patën përplasje të ashpra për shkak të mendimeve dhe qëllimeve të kundërta.
Kur u prononcua para mediave, kryeministri Kurti u shpreh se mospajtimet në mes tij dhe Bërnabiq ishin për shkak të njohjes së Kosovës si shtet dhe refuzimit të Serbisë për ta bërë këtë.
“Nuk dëshironte të pranonte që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Unë theksova që Serbia do të duhej të shkëputej duke u distancuar nga regjimi i Millosheviqit dhe trashëgimia e tij. Njohja e pavarësisë së Kosovës është e vlefshme edhe për vetë Serbinë, që në këtë mënyrë mban veten peng. Kosova e ka shpallur prej 13 vitesh pavarësinë nga Serbia, është koha e fundit që Serbia të shpallë pavarësinë nga Kosova”, tha Kurti.
Kurti i bëri thirrje edhe një herë Bërnabiqit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, në mënyrë që edhe Kosova edhe Serbia të vazhdojnë tutje.
“Të gjitha këto nisma ngecin për shkak se mungon njohja nga Serbia. Kjo do ta krijonte situatën në të cilën, jo vetëm Kosova e Serbia, por të gjitha vendet do të mund të ecnin më shumë drejt BE. Në fund të kësaj dekade do të duhet të jemi të gatshëm për integrim në BE”, tha Kurti.
“Konstatova që përderisa 6 shtetet e BP janë Europë, atëherë BE nuk është ende Europë, sepse nuk është i kompletuar. Kosova e ka pozitën edhe më të vështirë, për shkak se nuk kemi ende liberalizim të vizave, edhe pse populli i Kosovës është shteti më pro europian në Europë”, shtoi ai.
Kryeministri i Kosovës u sqarua edhe për Minishengenin, për të cilin tha se nuk kemi të bëjmë me të, por me treg të përbashkët rajonal.
“Nuk ka më Minishengen, ka treg të përbashkët rajonal, që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut. Ajo nismë tashmë është një çështje që trajtohet nga procesi i Berlinit, me emër tjetër e koordinata të tjera”, tha Kurti para gazetarëve.