Presidenti Joe Biden zbarkoi në Evropë të mërkurën në udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit si udhëheqës i Shteteve të Bashkuara, i vendosur për të zhvilluar bisedime të nivelit të lartë me krerët e tjerë të shteteve perëndimore përpara takimit javën e ardhshme me Presidentin rus Vladimir Putin në një samit në Gjenevë.
Ndalesa e parë ishte në RAF Mildenhall në Mbretërinë e Bashkuar, ku ai iu drejtua forcave amerikane.
“Për të gjithë ju aviatorë dhe ushtarë, unë dua t’ju them, faleminderit. Ne ju detyrohemi. Ne jemi kaq shumë krenarë për ju”, tha Presidenti Biden.
Ai gjithashtu i drejtoi një mesazh të fortë Presidentit rus Vladimir Putin, të cilin do ta takojë më vonë gjatë udhëtimit.
“Unë kam qenë i qartë – Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen në një mënyrë të fuqishme dhe kuptimplote kur qeveria ruse të përfshihet në veprimtari të dëmshme”, tha Presidenti Biden.
Presidenti gjithashtu tha se ai do të sigurojë aleatët për rolin e Shteteve të Bashkuara në botë.
“Në çdo hap, ne do t’i bëjmë të njohur të gjithëve se Shtetet e Bashkuara janë rikthyer”, tha ai.
Presidenti Biden dhe Zonja e Parë Jill Biden duke mbërritur në bazën ajrore RAF Mildenhall, Angli
Ndërsa hipte në Air Force One për t’u larguar nga Uashingtoni, Presidenti Biden tha se qëllimet e tij për udhëtimin ishin forcimi i lidhjeve me aleatët, duke “ia bërë të qartë Putinit dhe Kinës se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie të ngushta”.
Presidenti Biden gjithashtu tha se ai do të shpallte një strategji të re për vaksinimin e botës kundër pandemisë së koronavirusit.
Gazetat më vonë raportuan se Shtetet e Bashkuara do të blejnë 500 milionë doza të tjera të vaksinës Pfizer COVID-19 për të dhuruar në 92 vende me të ardhura më të ulëta dhe Bashkimin Afrikan gjatë vitit të ardhshëm. Shtetet e Bashkuara kanë vaksinuar më shumë se gjysmën e popullsisë së saj në moshë madhore, por vendet e varfëra janë shumë larg këtij niveli të vaksinimit.
Plani amerikan parashikon dhurimin e 200 milionë dozave – të mjaftueshme për të vaksinuar plotësisht 100 milionë njerëz – deri në fund të këtij viti, me pjesën e mbetur që do të dërgohet në gjysmën e parë të vitit 2022.
Ndërsa presidenti u nis për në Britani, Shtëpia e Bardhë tha se udhëtimi “do të nxjerrë në pah angazhimin e Amerikës për të bashkuar demokracitë e botës, së toku për të hartuar rregullat e rrugëtimit për shekullin e 21-të, për të mbrojtur vlerat tona dhe për të trajtuar sfidat më të mëdha të botës”.