Shpallja e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij “të padëshiruar” në SHBA është diskutuar të hënën në Komitetin e Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan.
Teksa e konsideroi si vendim “të papritur”, kongresmeni republikan i New York, Lee Michael Zeldin, i kërkoi Sekretarit të Deparatamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Antony Blinken, informacione specifike se mbi çfarë afere korruptive dyshohet të jetë përfshirë Berisha dhe familja e tij, që e shtynë atë ta shpallte “non grata”.
Mirëpo Blinken u shpreh se “aktualisht nuk kishte asgjë që mund të ndante me Komitetin” dhe e ftoi kongresmenin Zeldin si dhe mediat që t’i drejtoheshin për informacione zyrës së çështjeve ligjore dhe zyrës së shtypit.
“Në rastin e tij [Sali Berishës] ne patëm një çështje, të cilën e zhvilluam nëpërmjet procesit normal, përfshirë avokatët tanë… dhe do të isha i lumtur ta ndaja me ju nëse do të ishte e dobishme, se për çfarë flitet ekzaktësisht,” – shpjegoi procedurën Blinken, përpara se të shtonte se “nuk kishte asgjë specifike për t’i treguar Komitetit”.
“[…] për ju anëtarët [e Komitetit] ju lutem hajdeni në zyrën tonë të çështjeve ligjore, ne do të bëjmë të mundur që ju të merrni informacionet dhe mediat sigurisht të vijnë në zyrën e zëdhënësit të punëve të jashtme dhe ne do të sigurohemi që në përputhje me detyrimet që kemi, atë informacion ta ndajmë me ju,” – tha Sekretari i Departamentit të Shtetit.
Kongresmeni Zeldin e pyeti konkretisht Sekretarin Blinken gjithashtu nëse ka pasur kontakte me filantropin George Soros, pyetje së cilës Blinken iu përgjigj negativisht, por duke theksuar se “nuk mund ta thoshte këtë për gjithë departamentin”.
Më 19 maj Blinken njoftoi se kishte shpallur “të padëshiruar” për “korrupsion të niveleve të larta” dhe “cenim të demokracisë” ish-Kryeministrin Berisha dhe familjen e tij.
Duke e konsideruar të nxitur nga qarqet dhe lobimet e Soros në politikën amerikane, ish-kryeministri Berisha deklaroi një ditë më vonë se do ta padiste Sekretarin Amerikan Blinken për shpifje.
Përveç Berishës, deri më sot DASH ka shpallur “non grata” për korrupsion ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako dhe ish-deputetin socialist Tom Doshi.