Kohët e fundit, shumë shtete në Lindjen e Mesme kërkojnë normalizimin me vendet me të cilat ata kanë probleme dhe janë në një konkurrencë të fortë.
Shkruan: Murat Yeşiltaş
Ky proces filloi së pari gjatë periudhës së Trumpit midis Izraelit dhe disa vendeve arabe. Me ardhjen në pushtet të Biden në SHBA, u pa që normalizimi ndikoi në të njëjtën kohë shumë vende të Lindjes së Mesme. Mesazhet e ngrohta midis Arabisë Saudite dhe Iranit në javët e fundit kanë sjellë në mendje se mund të ketë edhe një zbutje madje midis dy rivalëve kryesorë të rajonit. Nga ana tjetër, Turqia ishte një nga vendet më në rendin e ditës në këtë periudhë. Afrimet e mundshme Turqi-Izrael, Turqi-Egjipt dhe Turqi-Arabi Saudite ndoshta mund të çojnë në shfaqjen e një epoke të re në Lindjen e Mesme.
Së fundmi, u hodh një hap i ri në kërkimin e normalizimit të marrëdhënieve midis Turqisë dhe Egjiptit. Një delegacion turk shkoi në Kajro pas takimit të krerëve të inteligjencës (shërbimit informativ) dhe ministrave të Punëve të Jashtme.
Normalizimi i marrëdhënieve të Turqisë me Egjiptin qëndron në një nivel tjetër rajonal. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke lënë vetëm Arabinë Saudite në Jemen dhe duke iu afruar gjithnjë e më shumë një marrëveshje bërthamore me Iranin nxorën në shesh lëvizje të reja në ekuacionin e energjisë në Lindjen e Mesme.
Vizita e Përfaqësuesit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Lindjen e Mesme, Brett McGurk në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipt dhe Jordani u pasqyrua në media si lehtësimi i shqetësimeve të aleatëve të Amerikës për t’u kthyer në një marrëveshje bërthamore me Iranin.
Prioriteti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Lindjen e Mesme është kontrolli i programit iranian bërthamor dhe vendosja e Teheranit përsëri në tryezë. Nga ana tjetër, interesi i aktorëve globalë si Rusia dhe Kina në Lindjen e Mesme krijon një sfidë të re për SHBA çdo ditë e më shumë. Në një atmosferë të tillë, të gjithë aktorët rajonalë përpiqen të zgjidhin problemet mes tyre. Përpjekjet Turqi-Egjipt për afrimin duhet të lexohen gjithashtu si një pjesë e këtij ekuacioni.
Ndarja e juridiksioneve detare të Mesdheut Lindor dhe dosja e Libisë dalin në plan të parë si arsyet më racionale prapa afrimit të Ankarasë dhe Kajros. Libia mund të kthehet në një dosje të përbashkët për Egjiptin dhe Turqinë me fillimin e tranzicionit politik në Libi. Të dyja vendet janë të vetëdijshëm për rëndësinë strategjike të veprimit të përbashkët mbi Libinë. Ndërkaq u kuptua se konkurrenca në lidhje me burimet e energjisë në Mesdheun Lindor nuk ishte e dobishme për të dyja vendet. Egjipti, i cili nënshkroi një marrëveshje me Greqinë, është gjithashtu i vetëdijshëm se kjo marrëveshje nuk përmbush plotësisht përparësitë e Egjiptit. Prandaj bashkëpunimi me Turqinë për energjinë në Mesdheun Lindor do të thotë që Egjipti do të fitojë më shumë. Këto dy çështje përbëjnë agjendën më pozitive të procesit të normalizimit.
Çështja e ‘Vëllazërisë Myslimane’ (lëvizje politike), e cila është një problem midis dy vendeve, tani për tani është lënë mënjanë. Çështjet më të rëndësishme gjeopolitike rajonale tani për tani do të avancojnë afrimin mes dy vendeve.
Normalizimi i marrëdhënieve Egjipt-Turqi ka potencialin për të lehtësuar tensionet në rajon, veçanërisht në çështjen e Libisë. Nëse vlerësohet mirë (normalizimi), ekziston mundësia që stresi i akumuluar në rajon të ulet.
* Doç. Dr. Murat Yeşiltaş është drejtor i studimeve të sigurisë pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara.