“Hajnat në burg, hajnat në burg“…këtë refren e kemi dëgjuar shpesh nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila me këtë iu është referuar atyre që kanë qenë në pushtet. Me këtë parullë, Vetëvendosje jepte indikacione se me ardhjen e saj në pushtet hajnat do të shkojnë në burg, të gjithë ata që e kanë zhvatur buxhetin e Kosovës në mënyrë të pandershme.
Shkruan: Faton Mehmeti
Kështu, ata arritën që në mënyrë masovike të mobilizonin masën e qytetarëve e të cilët edhe i dhanë votën me 52 % në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ndonëse është herët të kërkohet nga Vetëvendosje “ku janë hajnat në burg”, tani që është në pushtet, mirëpo nuk është herët të kërkohet përgjigja e pyetjes: a qëndroni pas asaj parulle, apo tanimë e keni harruar?
Kjo është shumë me rëndësi të dihet, të kërkohet shpjegim, si dhe të arrihet në përfundim se a ishte ajo parullë për të tërhequr masën apo kishte më konkrete diçka. Ka shumë nevojë që shoqëria shqiptare e Kosovës dhe jo vetëm, të dijë se në pushtet ka njerëz që u qëndrojnë pas fjalëve të tyre, me parullat që sapo vijnë në pushtet zhdukën një traditë që ka vazhduar që nga paslufta, me shpresën se ka marrë fund kjo gjë një herë e përgjithmonë.
Për të ndodhur kjo gjë, që hajnat të futën në burg, duhet që së pari të bëhet Vetting në sistemin e drejtësisë, një sistem që ka ngelur nën margjinat e politikës, e cila e ka përdorur ashtu si ka dashur, për më tepër si mburojë për të gjitha mëkatet e saja. Një lavatriçe e pastrimit të të këqijave, e njollave me të cilat i kanë ndotur duart. Kjo gjë tanimë duhet që sa më parë të marrë fund, të pastrohet përfundimisht drejtësia nga ndikimi i politikës. Ky është parakusht për një drejtësi, e cila do të çonte vërtet hajnat në burg, të gjithë ata që e kanë zhvatur këtë popull që 20 vjet, vetëm kështu krijohen parakushtet për një shoqëri vërtet të lirë, e cila ka vullnet dhe elan për të punuar në vendin e vet, jo nga ku synon të largohet një orë e më parë.
Vetëvendosje duhet që të gjitha ato që ka premtuar në zgjedhjet tu qëndrojë pas dhe të mundohet që t’i realizojë, s’do të mundet të gjitha, së paku të ketë interesin dhe mundin që t’i realizojë, tek pastaj do të mund të flasim për ndryshimin tek i cili mbi 52% të qytetarëve kanë votuar, besuar dhe pritur që të ndodh ndryshimi i kërkuar që 20 vjet.
Nëse Vetëvendosje e ka përdorur vetëm si marketing këtë parullë, atëherë kjo do i kthehet në bumerang, qytetarët nuk harrojnë dhe ndëshkojnë këdo që nuk iu del zot premtimeve te veta. Ashtu siç i ka ndëshkuar ata që sot janë në opozitë, njësoj do e ndëshkojë edhe VV-në, nëse nuk qeverisë ndryshe nga ata, me duar të pastra, mbi të gjitha nuk ç’kap shtetin në mënyrë që vërtetë “hajnat të shkojnë në burg” , aty ku e kanë vendin.