Në media dje është botuar një dokument që përflitej si raport zyrtar i BE-së në të cilën flitet për mundësinë e arritjes së një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse.
Por Zyra e Josep Borrellit, të cilit EEAS i ndihmon në politikat e jashtme të BE-së, e ka mohur që një raport i tillë është zyrtar.
Madje në një përgjigje nga Zyra e Përfaqësuesit të Jashtëm ai ka thënë se ai raport ishte plotësisht të rremë.
“Ndërsa ne nuk komentojmë në raportime të medies rreth dokumenteve të supozuara të BE-së, në këtë rast specifik “dokumenti” është plotësisht i rremë dhe diçka që asnjëherë nuk u prodhua nga BE”, tha për Reporteri.net Zyra e Përfaqësuesit të Jashtëm të BE-së, Josep Borell.
Raporti i cili u publikua dje në media flet për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje finale gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Sipas këtij dokumenti që po mohohet nga BE, kryesimi i Këshillit të Bashkimit Evropian nga Sllovenia në periudhën kohore prej 6 muajsh, nga korriku deri në dhjetor, shihet si një mundësi shumë e mirë për arritjen e një marrëveshjeje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Gjatë presidencës së Sllovenisë në Këshillin e BE-së për vitin 2021, ekziston mundësia për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit përmes dialogut”, thuhet në këtë dokument.
Në këtë raport që po del i rremë thuhet se Albin Kurti ka treguar që s’ka gatishmëri brenda Kuvendit të Kosovës për të shkuar drejt një marrëveshjeje me Serbinë, derisa BE’ja një gjë të tillë e sheh si një shenjë që mund të çojë në skenar të ri për zgjerimin e koalicionit me qëllim të rritjes së përkrahjes politike.