Opozita në vend po i kërkon kryeministrit Albin Kurti që në dialogun Kosovë-Serbi të përfshihet edhe SHBA-ja.
Dy krerët opozitarë, Ramush Haradinaj e Lumir Abdixhiku, qëndrimet e tyre i shfaqën pas takimit që patën me kryeministrin Kurti rreth dialogut.
Kërkesës së partive opozitare i është përgjigjur për Front Online Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje për FrontOnline ka thënë se Bashkimi Evropian bashkëpunon me ShBA-në, sa i përket çështjeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe dialogun Kosovë- Serbi.
“Dialogu Beograd-Prishtinë është proces i lehtësuar nga BE-ja i cili ëhstë i lidhur me rrugën e BE-së, të Kosovës dhe të Serbisë. BE është mandatuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për të lehtësuar dialogun në mënyrë që ta sjellë Kosovën dhe Serbinë më pranë Bashkimit Evropian. Partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë edhe ShBA-në, e respektojnë këtë. BE-ja bashkëpunon ngushtë me partnerët tanë në ShBA për çështjet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe dialogun”, ka thënë Stano, për FrontOnline.
I pyetur se a do të pranojnë të kenë përfshirje të ShBA-së, në dialog, Stano tha se të dyja vendet janë të përkushtuara të punojnë për Ballkanin Perëndimor.
“Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të saj po presim me padurim takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të dialogut në muajin qershor. Duke e thënë këtë BE dhe ShBA janë të përkushtuara për të punuar ngushtë së bashku në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar për FrontOnline, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Stano ka përmendur edhe një deklaratë të Përfaqësuesi të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme Josep Borrell me sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken.
“HRVP dhe Sekretari i Shtetit Blinken lëshuan një deklaratë të përbashkët pas takimit të tyre në mars, duke konfirmuar se “BE dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një interes të fortë në një rajon të qëndrueshëm dhe të prosperuar të Ballkanit Perëndimor. Ata riafirmuan angazhimin e tyre për të punuar së bashku për të mbështetur pajtimin dhe për të përmirësuar qeverisjen, për të ndërtuar qëndrueshmëri dhe për të shtyrë përpara reformat kryesore për integrimin në BE në të gjithë rajonin. BE-Sh.B.A. bashkëpunimi në terren është jetik për progresin, përfshirë dialogun e lehtësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ”, thuhet në deklaratë.
Kryeministri Kurti ka theksuar disa herë se nuk do të zhvillojë takimet në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, pa u konsultuar me spektrin politik në Kosovë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, ka nisur më 2011 në Bruksel.